KPK mban takimin e 287-të, Elza Bajrami-Kastrati bën betimin si anëtare e Këshillit
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur takimin e tij të 287-të, nën kryesimin e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj. Në këtë mbledhje, anëtarët e Këshillit miratuan në tërësi rendin e ditës dhe morën një sërë vendimesh që lidhen me funksionimin e institucionit. Gjatë takimit, anëtarët u informuan për pranimin e…
Lajme
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur takimin e tij të 287-të, nën kryesimin e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj. Në këtë mbledhje, anëtarët e Këshillit miratuan në tërësi rendin e ditës dhe morën një sërë vendimesh që lidhen me funksionimin e institucionit.
Gjatë takimit, anëtarët u informuan për pranimin e aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhur me procesin zgjedhor të kandidates nga radhët e prokurorive themelore. Po ashtu, u miratua raporti i Komisionit Zgjedhor për anëtaren e KPK-së nga radhët e prokurorive themelore dhe u certifikua rezultati përfundimtar i këtij procesi zgjedhor, transmeton lajmi.net.
Pas certifikimit të rezultatit, anëtarja e zgjedhur nga radhët e prokurorive themelore, Elza Bajrami-Kastrati, bëri betimin solemn para Këshillit, duke marrë zyrtarisht detyrën si anëtare e KPK-së.
Në këtë mbledhje, Këshilli miratoi edhe Rregulloren për zgjedhjen e Kryesuesit dhe Zëvendëskryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, me qëllim të rregullimit të procedurave dhe garantimit të një procesi transparent dhe të drejtë zgjedhor brenda institucionit.
Po ashtu, u shpall thirrja publike për paraqitjen e nominimeve për pozitën e Kryesuesit dhe Zëvendëskryesuesit të KPK-së, e cila do të publikohet nga 9 marsi 2026 në faqen zyrtare të Këshillit.
Ndërkohë, Këshilli miratoi edhe kërkesën për pezullimin e përkohshëm nga detyra të prokurorit të shtetit Milot Krasniqi, anëtar i Këshillit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, si dhe kërkesën e prokurores së shtetit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Elza Bajrami, anëtare e sapozgjedhur e Këshillit, të cilët do të vazhdojnë angazhimin e tyre në kuadër të KPK-së.
Njoftimi i plotë:
Mbahet takimi i 287-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës
Prishtinë, 6 mars 2026 – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), nën kryesimin e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Agron Qalaj, ka mbajtur takimin e 287-të, ku anëtarët e KPK-së miratuan në tërësi rendin e paraparë të ditës dhe morën këto vendime, me ç’rast:
1. U informuan për pranimin e aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhur me procesin zgjedhor të kandidates nga radhët e prokurorive themelore;
2. Miratuan raportin e Komisionit Zgjedhor për anëtaren e KPK-së nga radhët e prokurorive themelore të vendit;
3. Certifikuan rezultatin përfundimtar të procesit zgjedhor për zgjedhjen e anëtares prokurore të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e prokurorive themelore;
4. Pas certifikimit të rezultatit përfundimtar, anëtarja e zgjedhur nga radhët e prokurorive themelore, znj. Elza Bajrami-Kastrati, bëri betimin solemn para Këshillit, duke marrë zyrtarisht detyrën;
5. Miratuan Rregulloren për zgjedhjen e Kryesuesit dhe Zëvendëskryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, me qëllim të rregullimit të procedurave dhe garantimit të një procesi transparent dhe të drejtë zgjedhor brenda Këshillit;
6. Shpallën thirrjen publike për paraqitjen e nominimeve për pozitën e Kryesuesit dhe Zëvendëskryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, e cila do të publikohet nga 9 marsi 2026 në faqen zyrtare të Këshillit;
7. Miratuan kërkesën për pezullimin e përkohshëm nga detyra të prokurorit të shtetit, z. Milot Krasniqi, anëtar i Këshillit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, si dhe kërkesën e prokurores së shtetit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, znj. Elza Bajrami, anëtare e sapozgjedhur e Këshillit, të cilët do të vazhdojnë angazhimin e tyre në kuadër të KPK-së./lajmi.net/