Reagon KOMF për sulmin seksual ndaj fëmijës 13 vjeçar

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve KOMF shpreh shqetësimin për sulmin seksual ndaj nxënëses 13- vjeçare në Komunën e Mitrovicës. 

Lajme

10/03/2016 16:56

Sipas KOMF, bazuar në informacionet e Policisë së Kosovës, Regjioni në Mitrovicë, me 9 mars 2016 në afërsi të një shkolle në Mitrovicë, dyshohet të ketë ndodhur sulm seksual ndaj nxënëses 13 vjeçare.

“I dyshuar për rastin në fjalë është një Asambleist i Komunës së Mitrovicës.  Sipas Policisë së Kosovës, Regjioni Mitrovicë, pas intervistës së viktimës dhe rrethanave tjera, është identifikuar i dyshuari i cili me urdhër të prokurorit kompetent, është ndaluar me masën e ndalimit për 48 orë, për çka KOMF çmon lartë veprimet efikase të organeve”, thuhet në reagimin e tyre.

KOMF thekson se akte të tilla të paprecedentë ndaj fëmijëve, janë shqetësuese, të papranueshme dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore. Këto akte shkaktojnë pasoja të dëmshme afatgjate e shpesh të parikuperueshme fizike dhe psikologjike për fëmijët.

Koalicioni i OJQ-ve KOMF, kërkon nga institucionet përkatëse, që fëmijës ti ofrohen sa më shpejt shërbimet e duhura nga të gjithë profesionistët e nevojshëm, këshillim, mbrojtje sociale dhe ligjore dhe njëherit bën thirrje për ruajtjen maksimale të etikës dhe të konfidencialitetit të rastit.

Sulmi seksual, sipas tyre, është i ndaluar dhe sanksionuar me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Kodin Penal të Republikës së Kosovës dhe dispozitat tjera relevante.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në dispozitat për të drejtat e fëmijëve, në nenin 50.3 shprehimisht parasheh që secili fëmijë gëzon të drejtën për të qenë i mbrojtur nga dhuna, keqtrajtimi dhe shfrytëzimi.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës, ka sanksionuar aktet e tilla kundër integritetit seksual dhe bazuar në informacionet e Policisë së Kosovës, Prokuroria ka kualifikuar rastin si Sulm Seksual, sipas nenit 232 të Kodit Penal të Kosovës”, thuhet më tutje.

KOMF apelon tek organet kompetente, Policia e Kosovës, Prokuroria dhe Gjykatë që të ndërmarrin të gjitha masat adekuate për të zbardhur dhe proceduar penalisht me rastin, bazuar në legjislacionin në fuqi. Mobilizimi i të gjitha instancave përgjegjëse për të punuar në identifikim, referim, parandalim, mbrojtje, ndjekje penale dhe ndërgjegjësim është përgjegjësi direkte ndaj fëmijëve në nevojë për mbrojtje./lajmi.net