Komandant Shkrimtari
Shkrimtari i famshëm amerikan, Philip Roth (80), prej mbrëmë edhe zyrtarisht është - Komandant. I Legjionit të Nderit. “Franca po ju jep atë që ju i keni dhënë asaj”, tha Ministri i Jashtëm Francez.

ShowBiz
Shkrimtari i famshëm amerikan, Philip Roth (80), prej mbrëmë edhe zyrtarisht është Komandant.
I Legjionit të Nderit.
Shefi i diplomacisë franceze, Laurent Fabius, në një ceremoni të mbajtur në New York, ia ka dorëzuar medaljen Roth’it, duke e çmuar lart karrierën e tij të jashtëzakonshme dhe suksesin shumë të madh në Francë.
“Franca po ju jep atë që ju i keni dhënë asaj”, tha ministri francez.
Roth, i cili në vitin 2012 – pas 53 vitesh karriere të suksesshme dhe 30 veprave – pikëlloi botën letrare me vendimin që të mos shkruajë më, ka thënë se si i ri kishte mësuar gjuhën frënge, por tash e ka harruar.
“Kjo është për mua nder i madh dhe befasi magjike”, është shprehur Roth në anglisht, kurse pastaj ka shtuar në frëngjisht: “Jam absolutisht i lumtur”.
I lindur në vitin 1933, Roth u bë i njohur që në 1959, me përmbledhjen e tregimeve “Goodbye, Colombus”, kurse famën e fitoi me bestsellerin “Portnoy’s Complaint”, në 1969.
Më vonë botoi shumë vepra të vlerësuara nga kritika, në të cilat shpesh paraqitet alter egoja e tij – Nathan Zuckerman. Romanet për Zuckermanin filluan me veprën “The Ghost Writer”, në 1979.
Viteve të fundit ka qenë kandidat për Çmimin Nobel në Letërsi.
A.M.
Philip Roth flet për ndikimin e romanit “Portnoy’s Complaint” në karrierën e tij.