Kina nuk zmbrapset, e gatshme t’i mbajë dy garat e Formula 1

Për momentin, gara e Çmimit të Madh të Kinës në Formula 1 ka statusin e një gare të shtyrë nga organizatorët.

Sport

16/06/2020 14:30

Kjo garë duhej të ishte zhvilluar më 19 prill, por gara që zhvillohet në pistën e Shanghai është e para që u shty për shkak të koronavirus. Ndërkohë që Botërori 2020 nuk ka nisur ende (starton më 5 korrik në Austri).

Duke parë se Formula 1 ka publikuar kalendarin vetëm të 8 garave të para, Kina synon të organizojë dy gara në pistën e saj.

Një ide e vështirë për t’u realizuar për momentin, duke parë se në Pekin kanë plasur sërish raste të reja me Covid-19.

Shefi i departamentit sportiv në Shanghai, Xu Bin, tha: “Propozimi ka ardhur nga vetë organizatorët e botërorit, por nuk ka asgjë konkrete. Ndoshta në vjeshtë diçka pozitive mund të ndodhë”.

Gara e Kinës është e lidhur me garën e Vietnamit, në Hanoi, për të cilën nuk ka ende asnjë datë konkrete.

Liberty Media mund të konfirmojë të dyja këto pista nëse Formula 1 arrin një marrëveshje ose vetëm pistën e Kinës, ku mund të organizojë pas tetorit dy gara./Lajmi.net/