KFOR-i gjerman edhe një vit në Kosovë

Bundestagu gjerman miratoi vazhdimin e misionit të ushtarëve gjermanë në Kosovë, i cili është edhe misioni më i vjetër aktualisht i Bundeswehrit jashtë Gjermanisë. Për këtë vendim kanë votuar shumica e deputetëve gjermanë: 532 deputetë ishin për vazhdimin e mandatit në Kosovë, ndërsa vetëm 60 kundër.

Lajme

19/06/2015 19:20

Misioni i ushtarëve gjermanë në Kosovë është aktualisht më i gjati dhe ka filluar para 16 vitesh (1999, pas tërheqjes nga Kosova të trupave serbe). Aktualisht, në Kosovë, në kuadër të KFOR-it ndodhen rreth 770 ushtarë gjermanë.

Por, mandati i Bundestagut lejon angazhimin njëkohësisht të deri në 1850 ushtarëve gjermanë në Kosovë. Pjesa tjetër e kontingjentit është në gjendje gatishmërie dhe mund të dërgohen në Kosovë në rastet emergjente, siç kanë qenë për shembull trazirat në veri të Kosovës.

Misioni i ushtarëve gjermanë në Kosovë është i dyti më i madhi i Bundeswehrit – pas Afganistanit. Ky mision do të kushtojë në 12 muajt e ardhshëm rreth 47 milionë euro. Por, shumica e deputetëve gjermanë janë të mendimit se ky është një mision shumë i arsyeshëm dhe i suksesshëm për ruajtjen e paqes dhe qetësisë në Kosovë. Mandati i ushtarëve gjermanë në Kosovë vazhdohet çdo vit.

Në të njëjtën seancë të Bundestagut u vendos edhe vazhdimi i misioneve të ushtarëve gjermanë në Mali, si dhe në bregdetin libanez. Edhe për këto misione votoi një shumicë e madhe e deputetëve gjermanë.