KE: Të gatshëm të mbështesim financiarisht Ballkanin në luftën kundër terrorizmit
Koordinatori i BE-së kundër Terrorizmit, Gilles de Kerchove, thotë se Komisioni Evropian mbetet i gatshëm të kontribuojë financiarisht në disa fusha, për parandalimin e fenomenit të luftëtarëve të huaj në Ballkan, përfshirë Shqipërinë.
Lajme
“Unë nuk jam ekspert mbi Shqipërinë, të cilën kam planifikuar ta vizitoj në muajt që vijnë. Këtë do të ishte me interes ta diskutonim më vonë, por Ballkani Perëndimor është një rajon, ku ne jemi të gatshëm të investojmë më shumë burime e të punojmë më nga afër, sepse vendet atje përballen gjithashtu me çështjen e “luftëtarëve të huaj””, tha ai në një intervistë për Top Channel.
Sipas tij Ballkanit do i nevojitet më shumë ndihmë në aspektin e parandalimit të terrorizimit.
“Do të duhet më shumë ndihmë mbi mënyrën sesi i mbledhin e i shpërndajnë të dhënat dhe sesi i analizojnë ato, si dhe për mënyrën sesi trajtohet në kthim një luftëtar terrorist. Për të gjitha këto çështje, ne kemi nisur një dialog me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe organizuam Konferencën e Sllovenisë me grupin e punës. Komisioni mbetet i angazhuar për të dhënë mbështetje financiare në përmirësimin e gjërave që sapo përmenda, përfshirë edhe ndaj Shqipërisë”, ka thënë de Kerchove.
Gilles de Kerchove raportoi edhe para ministrave të Brendshëm të BE-së, në Luksemburg, për zbatimin e masave të përcaktuara sipas deklaratës kundër terrorizmit, të krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së, në shkurt të këtij viti.