Raportohet se kapiteni i Njësive Speciale, Besart Ahmeti, po hetohet për kanosje

Dy persona janë prangosur sot në një qendër tregtare pas një incidenti ku u përfshi kapiteni i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, Besart Ahmeti. Dy personat e arrestuar, njëri 16 dhe tjetri mbi 20-vjeç, janë djem të një polici të Kosovës me mbiemrin Aliu, ndërsa incidenti lidhet me një parking. Sipas informacioneve të siguruara…

Lajme

06/09/2026 22:56

Dy persona janë prangosur sot në një qendër tregtare pas një incidenti ku u përfshi kapiteni i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, Besart Ahmeti.

Dy personat e arrestuar, njëri 16 dhe tjetri mbi 20-vjeç, janë djem të një polici të Kosovës me mbiemrin Aliu, ndërsa incidenti lidhet me një parking. Sipas informacioneve të siguruara nga nëna e dy të arrestuarve, Hasene Aliu, kapiteni Ahmeti në kohën kur ka ndodhur incidenti ishte me gruan e tij dhe me fëmijët.

Në një bisedë të shkurtër për KALLXO.com gruaja e policit Aliu ka konfirmuar arrestimin e djemve të saj dhe ka treguar se ajo ishte dëshmitare e ngjarjes. Sipas saj ngjarja ka nisur për një vendparking ndërsa ka eskaluar kur kanë nisur të shara.

 

Aliu ka rrëfyer se fillimisht është arrestuar djali I madh e më pas edhe djali tjetër i mitur. Në ndërkohë në stacionin e Graçanicës Aliu ka rrëfyer se janë ftuar një togë e Njësisë Speciale dhe ata kanë ushtruar dhunë fizike brenda stacionit ndaj djalit të madh të saj.

Janë siguruar informacione sipas të cilave Prokuroria e Prishtinës ndaj kapitenit Ahmeti ka nisur hetime për kanosje lidhur me këtë rast, ndërsa një udhëheqës toge i Njësisë Speciale është duke u hetuar për keqtrajtim gjatë detyrës zyrtare.

KALLXO.com kontaktoi kapitetin e Njësive Speciale, Besart Ahmetin për ta pyetur nëse është ftuar për intervistë në Polici si i dyshimtë për kanosje. Mirëpo i njëjti nuk pranoi të deklarohet. “Nuk mund të deklarohem unë asgjë. Kontaktoni Zyrën për Media”- tha Ahmeti.