Shqipëri, Ministria e Mbrojtjes: 20 vatra zjarri në vend, 11 mbeten aktive
Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme janë raportuar gjithsej 20 vatra zjarri në territorin e vendit. Prej tyre, 11 mbeten aktive, 7 janë nën mbikëqyrje dhe 2 janë fikur plotësisht. Në operacionet për shuarjen dhe kontrollin e zjarreve janë angazhuar strukturat vendore të mbrojtjes civile, bashkë me Forcat e…
Lajme
Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme janë raportuar gjithsej 20 vatra zjarri në territorin e vendit. Prej tyre, 11 mbeten aktive, 7 janë nën mbikëqyrje dhe 2 janë fikur plotësisht.
Në operacionet për shuarjen dhe kontrollin e zjarreve janë angazhuar strukturat vendore të mbrojtjes civile, bashkë me Forcat e Armatosura, që kanë vënë në dispozicion kapacitete tokësore dhe ajrore.
Ministria e Mbrojtjes shpjegon se vëmendja kryesore mbetet e përqendruar te Mali i Dajtit, ku zjarri është ende aktiv. Ndërhyrja atje mbështetet nga Forcat e Armatosura me efektivë, mjete tokësore dhe helikopter.
Situatë e ngjashme paraqitet edhe në Kryezi të Kavajës, ku krahas forcave zjarrfikëse është angazhuar një avion Air Tractor.
Zjarre aktive vazhdojnë të jenë prezentë edhe në Dibër, veçanërisht në zonën Lundre–Madhesh të Matit. Në Lezhë, puna për shuarjen vijon në zonën Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, me mbështetjen e dy helikopterëve të Forcave të Armatosura.
Në Qarkun e Shkodrës, zjarri në Bardhaj–Myselim mbetet aktiv.
Në operacion janë angazhuar strukturat vendore, vullnetarët dhe Forcat e Armatosura, përfshirë dy helikopterë. Aktiv është edhe zjarri në Kulumri të Fushë-Arrëzit.
Vatra të tjera aktive raportohen në Kropisht të Selenicës, Vokopolë të Poliçanit, Tërbun të Pukës dhe në disa zona të tjera. Ndërkohë, disa vatra në Korçë, Elbasan, Durrës, Fier, Kukës dhe Shkodër janë vendosur nën mbikëqyrje.
Në zonën Drizë–Peshtan–Frakull të Fierit situata është gjithashtu nën kontroll dhe mbikëqyrje.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon të ndjekë situatën në kohë reale në të gjithë territorin, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë kudo që situata e kërkon, me prioritet absolut mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë së tyre.