I dyshuari që theri me thikë infermierin në QKUK, para 10 muajsh kishte kryer plagosje në Prishtinë

F.B, infermier në Klinikën e Urologjisë, është sulmuar sot me thikë në vendin e tij të punës në QKUK. I dyshuari për kryerjen e këtij akti, siç mëson lajmi.net është personi i cili në dhjetor të vitit që lamë pas kishte kryer një plagosje.

Lajme

26/09/2020 17:13

Dita e sotme për pak sa nuk përfundoi me fatalitet për F.B, infermier në Klinikën e Urologjisë, shkruan lajmi.net.

Diku rreth orës 14:35, atë e sulmoi me thikë një person, duke i shkaktuar plagë në trup. Menjëherë pas rastit, në vendin e ngjarjes u paraqit Policia e Kosovës.

Këta të fundit, me të dyshuarin për therjen me thikë të infermierit, kishin pasur punë edhe në dhjetor të vitit që lamë pas. Siç tregojnë burimet e lajmi.net, i njëjti kishte plagosur me armë zjarri personin me inicialet L.M në Prishtinë.  Ndonëse ishte arrestuar e më pas dërguar në paraburgim, Gjykata e kishte liruar të dyshuarin për t’u mbrojtur në liri.

E i njëjti, sot kreu edhe një vepër tjetër penale, përderisa në vendin e tij të punës sulmoi me thikë një infermier për arsye të cilat nuk janë bërë të ditura.

Rastin e kanë konfirmuar ndërkaq edhe nga Policia e Kosovës.

“Sot më pra 14:35 Policia është njoftuar për një rast “therje me thikë” në QKUK, njësitet policore kanë dal në vendngjarje dje janë duke e trajtuar rastin, për informata të tjera ju njoftojmë me kohë”, ka thënë zëdhënësi i Policisë, Bajram Krasniqi.

Për sulmin ka folur edhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, të cilët kanë thënë se viktima do t’i nënshtrohet një intervenimi kirurgjik. /Lajmi.net/

Lexo edhe:

SHSKUK-ja jep detaje për plagosjen e infermierit të urologjisë