Më 10 maj nis konvertimi i patentë-shoferëve të lëshuara nga strukturat serbe në ato të Kosovës

Ministria e Punëve të Brendshme njofton të gjithë qytetarët se nga data 10 maj 2024 do të fillojë procesi i konvertimit të patentë-shoferëve të lëshuar nga strukturat ilegale serbe në patentë shoferi të Kosovës dhe do të zgjasë deri më 9 gusht 2024. Qytetarët që posedojnë patentë shoferi të lëshuar nga strukturat ilegale serbe mund…

Lajme

08/05/2024 17:10

Ministria e Punëve të Brendshme njofton të gjithë qytetarët se nga data 10 maj 2024 do të fillojë procesi i konvertimit të patentë-shoferëve të lëshuar nga strukturat ilegale serbe në patentë shoferi të Kosovës dhe do të zgjasë deri më 9 gusht 2024.

Qytetarët që posedojnë patentë shoferi të lëshuar nga strukturat ilegale serbe mund të aplikojnë për patentë-shoferi zyrtar të Kosovës përmes aplikimit formularit elektronik në https://patentshoferonline.rks-gov.net/ apo edhe fizikisht në Qendrën për Pajisje me Dokumente në të gjitha komunat e Kosovës.

Në rast të paraqitjes fizike për aplikim në sportelet e Qendrave për Pajisje me Dokumente, qytetarët duhet të posedojnë letërnjoftimin e Republikës së Kosovës,

origjinalin e patentë shoferit të lëshuar nga ana e autoriteteve serbe, certifikatën e gjendjes shëndetësore për pajisje me patentë shofer, certifikata shëndetësore lëshohet nga institucionet shëndetësore të licencuara nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës, në tërë territorin e Kosovës.

Çmimi për certifikatë shëndetësore varion nga kategoria e mjetit për të cilin posedon patentë shoferin dhe atë si në vijim: për kategorinë B/BE çmimi i certifikatës shëndetësore është 20 euro, për kategorinë C dhe kategorinë D çmimi i certifikatës shëndetësore është 50 euro.

Dëshmi të pagesës së taksës vlera e së cilës është pesëmbëdhjetë euro (15.00€) dhe origjinalin e patentë-shoferit të lëshuar nga UNMIK apo RKS në qoftë se bëhet aplikimi për shtimin e kategorive, gjë e cila po ashtu është mundësuar përmes këtij vendimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Procedura për pajisje me patentë-shoferi të Kosovës zgjat 15 ditë. Patentë-shoferi i lëshuar nga strukturat serbe i kthehet aplikuesit si dokument i pavlefshëm dhe i njëjti pajiset me patentë shoferin e Kosovës.