Osmani takoi presidentin e SHBA-ve, George W.Bush: Lajmëtari i pavarësisë së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Teksas të SHBA-ve, ka zhvilluar një takim me presidentin e 43-të, të SHBA-ve, George W. Bush, të cilin e ka falënderuar në emër të popullit të Kosovës për angazhimin e tij të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës si…

Lajme

08/05/2024 18:28

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Teksas të SHBA-ve, ka zhvilluar një takim me presidentin e 43-të, të SHBA-ve, George W. Bush, të cilin e ka falënderuar në emër të popullit të Kosovës për angazhimin e tij të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës si dhe mbështetjen e tij  të vazhdueshme për vendin tonë.

Presidentja Osmani theksoi se Presidenti Bush ishte një mbështetës i vendosur për pavarësinë e Kosovës, një mik dhe aleat i popullit të Kosovës, duke theksuar se në çdo kapitull të Republikës së Kosovës jeton trashëgimia e tij, e cila zanafillën e ka te paralajmërimi i Krishtlindjes i Presidentit George H.W. Bush, babai të tij. 

Gjatë takimit në Institutin Bush në Dallas, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje të thellë për  Presidentin Bush, për mbështetjen dhe solidaritetin e tij për Kosovën, duke potencuar rolin e rëndësishëm të lidershipit të tij në shpalljen e pavarësisë.

“Mjaft është mjaft. Kosova është e pavarur”, është fraza paralajmëruese e pavarësisë së Kosovës e  presidentit Bush në Tiranë më 2007, e cila do të mbetet e gdhendur në analet e historisë si një afirmim i vendosur i të drejtës së Kosovës për të qenë e pavarur. “Presidenti Bush ishte lajmëtari i pavarësisë së Kosovës”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Më tej, Presidentja Osmani ka theksuar se aleanca e Kosovës me SHBA-të është testament për vlerat e përbashkëta dhe përkushtimin ndaj lirisë dhe demokracisë.

Ndërkaq Presidenti Bush foli me respekt për Kosovën që nga shpallja e pavarësisë dhe rrugëtimit për shtetetndërtim, konsolidim dhe forcim të pozitës ndërkombëtare. Ai ripohoi miqësinë e tij të qëndrueshme me Kosovën, duke e shprehur besimin për një të ardhme edhe më prosperuese ku Kosova është e integruar në strukturat euroatlantike.