Detaje nga ngjarja në Shkodër ku nëna bashkë me tre fëmijët e saj u vetëvranë duke u hedhur në lumin Buna

Alma Arrazi është gruaja nga Shkodra e cila me 2 maj të këtij viti bashkë me tre fëmijët e saj, nëntë, tetë e tre vjeç janë vetëvrarë duke u hedhur nga ura në lumin Buna. Gjatë këtyre ditëve janë gjetur trupat e pajetë të fëmijëve dhe nënës, ndërsa bashkëshorti i saj Ergys Arrazi është arrestuar…

Lajme

08/05/2024 19:35

Alma Arrazi është gruaja nga Shkodra e cila me 2 maj të këtij viti bashkë me tre fëmijët e saj, nëntë, tetë e tre vjeç janë vetëvrarë duke u hedhur nga ura në lumin Buna.

Gjatë këtyre ditëve janë gjetur trupat e pajetë të fëmijëve dhe nënës, ndërsa bashkëshorti i saj Ergys Arrazi është arrestuar pasi dyshohet t’i ketë ushtruar viktimës dhunë psikike.

Gazetarja e lajmi.net, Fjolla Hyseni ka kontaktuar gazetarë nga Shqipëria të cilët i kanë treguar detaje nga ngjarja.

Imi Kalaja, gazetare nga TV Klan tha se Alma Arrazi kishte kuptuar se bashkëshorti e tradhtonte.

“Në padijeni se ku e shoqja mund të ishte dhe ka rezultuar e zhdukur, bashkëshorti një ditë më pas i është drejtuar vetë Policisë së Shkodrës. Nuk ka vonuar shumë orë dhe një peshkatar ka gjetur njërin prej trupave, atë të vajzës së madhe. Më pas, pasi janë marrë deklarimet nga të afërm dhe familjar Policia ka ndaluar bashkëshortin nën akuzën e shkaktarit të dhunës në familje me pasojë nxitjen e vetëvrasjes së gruas. Tri ditë më vonë janë arritur të gjinden të gjithë trupat”, ka thënë Kalaja për lajmi.net.

Gazetari Simon Shkreli nga ABC News, ka thënë se ka pasur informacione se mes çiftit diçka nuk shkonte.

“Pas gjetjes së trupit të vajzës 9 vjeçe, menjëherë bashkëshorti është shoqëruar për në komisariatin e zonës së Shkodrës, fillimisht për të bërë identifikimin dhe më pas është ndaluar nga Policia pasi ka pas indicie dhe informacione grupi jetimor se mes çiftit diçka nuk shkonte”, ka thënë Shkreli.

Shkreli njofton se Prokuroria e Shkodrës i ka caktuar masën e arrestit me burg pasi që në bazë të të dhënave dhe fakteve të grumbulluara ka ardhur në përfundim se për shkak të dhunës psikologjike të vazhdueshme dhe fyerjeve të vazhdueshme, të cilat Ergys Arrazi i bënte ndaj bashkëshortes së tij, 39 vjeçares Alma Arrazi, ajo ka marrë vetë fatin e saj dhe të fëmijëve në duart e saj.

Sipas disa informacioneve, Alma Arrazi në vitin 2022 kërkon tretman për depresion dhe ankth.

Ergys Arrazi është emër i njohur për Policinë e Shkodrës, pasi që i njëjti dy vite më parë ishte arrestuar për kultivim të lëndëve narkotike.

Video: