Hyseni thotë se migrimi ilegal i kosovarëve në BE është ndalur komplet

Përmes një komunikate bëhet e ditur se me këtë rast është vlerësuar progresi i zbatimit të Projektit të Binjakëzimit, që ka të bëjë me ngritjen e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës në Menaxhimin Efektiv të Migrimit.

Lajme

17/06/2016 16:01

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni është takuar sot me ambasadorët e Holandës, Suedisë, Austrisë dhe Belgjikës, si dhe përfaqësuesin e BE-së në Kosovë, Thomas Gnocchi.

Përmes një komunikate bëhet e ditur se me këtë rast është vlerësuar progresi i zbatimit të Projektit të Binjakëzimit, që ka të bëjë me ngritjen e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës në Menaxhimin Efektiv të Migrimit.

Sipas Hysenit Projekti i Binjakëzimit po shkon shumë mirë, ndërsa ka theksuar se trendët e migrimit të kosovareve në drejtim të BE-se në mënyrë ilegale kanë rënë komplet.

Në komunikatë më tutje thuhet se institucionet e Kosovës po punojnë me të gjitha kapacitetet që të parandalohet migrimi i pa rregullt i kosovarëve në BE.

“Ndërsa ambasadoret dhe përfaqësuesi i BE-së konfirmuan se trendët e migrimit të kosovareve në BE janë tejet pozitive dhe inkurajuan autoritetet kosovare që të vazhdohet të punohet në parandalimin në të ardhmen”, thuhet në komunikatë.

Në këtë takim u diskutua për ndryshimet e politikave të migrimit në Holandë, Belgjikë dhe Austri që kanë të bëjnë me rregullat strikte të azilit, ku janë shkurtuar procedurat e azilit në shumë vende. Po ashtu u bë e ditur se pala kosovare është e gatshme t’i ripranojë kosovarët që janë duke qëndruar ilegalisht në vendet e BE-së konform marrëveshjeve për ripranim.