Aktivizohet VV-ja në ditët e fundit për President, dikush nga ta i drejtohet me apel e dikush me sulme opozitës
Kanë mbetur vetëm edhe dy ditë deri në përfundimin e afatit 34 ditor që Gjykata Kushtetuese i ka dhënë Kuvendit të Kosovës për të zgjedhur Presidentin/en e vendit, pas dështimit për ta kryer këtë obligim kushtetues më 4 mars. Pasi më 4 mars, 30 ditë para se Presidentja Vjosa Osmani të kryente mandatin, Kuvendi nuk…
Lajme
Kanë mbetur vetëm edhe dy ditë deri në përfundimin e afatit 34 ditor që Gjykata Kushtetuese i ka dhënë Kuvendit të Kosovës për të zgjedhur Presidentin/en e vendit, pas dështimit për ta kryer këtë obligim kushtetues më 4 mars.
Pasi më 4 mars, 30 ditë para se Presidentja Vjosa Osmani të kryente mandatin, Kuvendi nuk pati kuorum për të zgjedhur Presidentin e ri, Osmani e shpërndau Kuvendin, por Kushtetuesja e dha edhe një mundësi.
Pasi VV e dërgoi dekretin e Osmanit në Kushtetuese, ata thanë se Kuvendi i ka edhe 34 ditë kohë për ta zgjidhur kreun e shtetit, por deputetëve aktual të Kuvendit të Kosovës as ato nuk iu mjaftuan.
Asgjë dhe askush nuk arriti t’i bashkoj deputetët e mazhurancës me ata të opozitës që të gjejnë një kandidat koncensual që do të mund ta drejtonte shtetin nga karrigja e Presidentit të Kosovës për pesë vitet e ardhshme.
34 ditëve iu erdhi fundi, ndërsa shteti gjendet në një situatë të vështirë, pranë zgjedhjeve të treta parlamentare brenda 1 viti ndërsa të pestat gjithsej bashkë me ato lokale.
Tani kur deputetëve të Kuvendit të Kosovës po iu “rrezikohet” ulësja, ata kanë filluar angazhimin por atë në rrjetin social Facebook.
Deputetja e VV-së, Adriana Matoshi ka kritikuar ashpër opozitën që sipas saj nuk po pranojnë as emrat t’i japin për President, ndërsa iu ka ofruar një “mundësi”.
“A t’i thom Binit me ju bo ni pako, P.sh 1 emer edhe 2 terminale ose 1 emer edhe 200 hekter toke ose 2 emra dhe krejt bordet ose, pa emer veq Telekomin ose, ose asni emer veç me ju shti ne pune pa kunkUru- e forte a?”, ka shkruar Matoshi.
Sipas saj, askush nuk po e din çfarë po duan nga opozita ndonëse i pari i LDK-së e ka propozuar Vjosa Osmanin për presidente.
“A more Binush po me dhimesh me kond je tu pase pune”, ka shtuar Matoshi.
Në një gjuhë më ndryshe se Matoshi, deputeti tjetër i VV-së, Vigan Qorolli i ka bërë thirrje opozitës që të bashkëpunojë për zgjedhjen e një presidenti konsensual, jashtë radhëve partiake.
Ai ka theksuar se presidenti duhet të jetë figurë unifikuese, mbi interesat politike dhe përplasjet partiake, duke propozuar gjetjen e një personaliteti me integritet të lartë moral dhe institucional.
“Presidenti është figura që duhet të qëndrojë mbi grindjen, mbi interesin e ngushtë, mbi instinktin e bllokadës dhe mbi etjen për revansh. Prandaj, sot thirrja ime për opozitën është e qartë: le ta kërkojmë bashkë një emër nga bota jopolitike; një personalitet që nuk është anëtar i partive ekzistuese; një figurë me integritet publik, me maturi institucionale dhe me peshë morale; një njeri që nuk i përket askujt, sepse duhet t’i përkasë Republikës. Presidenti duhet të jetë garanci e rendit kushtetues, simbol i unitetit qytetar dhe dëshmi se Kosova di të prodhojë konsensus kur interesi shtetëror e kërkon këtë”, ka shkruar Qorolli.
Qorrolli ka thënë se Kosova ka shumë figura të denja jashtë politikës dhe se zgjedhja e një presidenti të tillë do të dëshmonte pjekuri shtetërore dhe konsensus politik në interes të Republikës.
“Ta gjejmë një emër të tillë. Ta zgjedhim bashkë. Ta dëshmojmë se kur është në pyetje shteti, mund të ketë dallime politike, por nuk duhet të ketë verbëri institucionale. Opozita ka të drejtë të kundërshtojë Qeverinë. Ka të drejtë të kritikojë shumicën. Ka të drejtë të propozojë, të refuzojë, të negociojë. Por nuk ka të drejtë ta bëjë Republikën peng të pakënaqësisë së vet. Nuk bëhet fjalë për nënshtrim politik. Kërkohet lartësi shtetërore. Le ta zgjedhim një President jashtë partive, mbi palët, në shërbim të Kushtetutës dhe qytetarëve”, ka shtuar Qorolli.
Për shkuarjen e vendit në zgjedhje nëse do të ndodh, opozitën e ka fajësuar edhe deputeti tjetër i VV-së, Adnan Rrustemi. Sipas tij, opozita e ka “përgjegjësinë e plotë” nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.
Ai i akuzoi partitë opozitare se nuk kanë gatishmëri për ta gjetur një zgjidhje.
“Përgjegjësia e plotë është e opozitës, të cilët nuk kanë asnjë minumim gatishmërie për ta gjetur një zgjidhje”, tha ai për KP.
Rrustemi tha se janë “të interesuar” për zgjidhje, ndërsa shtoi se “nuk mund të parashoh se cilat do të jenë veprimet e Lëvizjes gjatë këtyre ditëve”.
“Por ne jemi të interesuar që të gjejmë një zgjidhje dhe vendit t’i japim një president dhe kësisoj t’i shmangim zgjedhjet e parakohshme të panevojshme”, tha ai.
Ftesën për t’i dhënë tre emra nga opozita për President, e ka përsëritur deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci duke e injoruar plotësisht emrin e propozuar nga Abdixhiku.
Ai iu ka bërë thirrje opozitës që të mos e shtyjnë vendin drejt zgjedhjeve “për kalkulime të ngushta politike”.
“Verdikti i qytetarëve tashmë është dhënë dhe duhet respektuar. Presim tre emra konkretë, jo arsyetime të pafundme. Koha kërkon përgjegjësi institucionale dhe maturi politike, jo bllokadë”, ka shkruar Bajqinovci në Facebook.
Apel e lutje për të bashkëpunuar, iu bëri deputeti i VV-së, Agim Bahtiri kolegëve të tij deputetë.
Ai ka bërë një apel për kolegët deputet.
“Prandaj, edhe njëherë, APELOJ tek kolegët deputet, që t’i thërrasin mendjes dhe të bëhen bashkpunues për zhbllokim e jo shkaktar për bllokada të pafundme”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se po i bëjnë përpjekjet maksimale dhe të fundit që nesër të zgjidhet Presidenti, shkruan lajmi.net.
“Kosovës i duhet ZGJIDHJE e jo ZGJEDHJE, sepse zgjedhjet krijojnë vetëm ngërç politik, të cilat e çojnë Kosoven në një cikël të pafundshëm të zgjedhjeve, ku rrjedhimisht Kosova humb dhjetra miliona euro, të cilat janë djersë e qytetarëve tanë. E gjitha kjo pa asnjë arsye”, ka shkruar Bahtiri.
Lëvizja Vetëvendosje të shtunën i ka bërë një ofertë partive opozitare, pasi ka dështuar të bëj një marrëveshje politike me ta, saktësisht me LDK-në, me kryetarin e së cilës ishte takuar disa herë.
VV ka thënë se secila parti opozitare le ta propozoj nga një kandidat për President, dhe atyre do t’iu ofrojnë nënshkrimet për t’i kandiduar në mënyrë që vendi të mos shkoj në zgjedhje.
Pas kësaj oferte, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se nuk do të propozojnë askënd pasi sipas tyre zgjedhjet janë zgjidhje, ndërsa kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku e ka propozuar Vjosa Osmanin.
Të martën në ora 00:00, përfundon afati 34 ditor për të zgjedhur Presidentin, nëse kjo nuk arrihet vendi automatikisht shkon në zgjedhje.
Nëse vendi shkon në zgjedhje, Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se ato mund të mbahen me 31 maj ose 7 qershor. /Lajmi.net/