Hykmete Bajrami kundër kandidaturës së Bekim Sejdiut: E papranueshme që të bëhemi pjesë e një marrëveshjeje që ia zgjat pushtetin Albin Kurtit

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka dal publikisht kundër kandidaturës së Bekim Sejdiut për president. Ajo ka thënë se nuk bëhet pjesë e një marrëveshje që ia zgjat pushtetin Albin Kurtit, transmeton lajmi.net. “Po, Kosova ka nevojë për institucione funksionale, por Kosova ka nevojë mbi të gjitha për balancë institucionale, kontroll demokratik dhe llogaridhënie. Përqendrimi…

Lajme

01/09/2026 18:28

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka dal publikisht kundër kandidaturës së Bekim Sejdiut për president.

Ajo ka thënë se nuk bëhet pjesë e një marrëveshje që ia zgjat pushtetin Albin Kurtit, transmeton lajmi.net.
“Po, Kosova ka nevojë për institucione funksionale, por Kosova ka nevojë mbi të gjitha për balancë institucionale, kontroll demokratik dhe llogaridhënie. Përqendrimi i pothuajse gjithë fuqisë institucionale në duart e një partie dhe të një njeriu nuk është zgjidhje, është rrezik për demokracinë dhe dëm për shtetin, tashmë e dëshmuar kjo që gjashtë vite radhazi.”, shkroi ndër të tjera Bajrami.
Postimi i plotë:
Nuk e kam deleguar votën te askush.
Mbështetja që kam marrë nga qytetarët jo vetëm në zgjedhjet e fundit nuk më është dhënë për të qenë numër në Kuvend dhe as për t’ia zgjatur pushtetin Albin Kurtit. Përkundrazi, këtë besim e kam marrë se besoj fort se kam arritë të jem zëri i qytetarëve kundër keqqeverisjes së Albin Kurtit, kam punuar e jam angazhuar për interesin e vendit dhe kam mbrojtur e ruajtur Lidhjen Demokratike të Kosovës aq sa kam mundur.
Prandaj, për mua është e papranueshme që sot, në emër të zgjidhjes së krizës institucionale, të bëhemi pjesë e një marrëveshjeje që ia zgjat pushtetin e koncentruar Albin Kurtit.
Po, Kosova ka nevojë për institucione funksionale, por Kosova ka nevojë mbi të gjitha për balancë institucionale, kontroll demokratik dhe llogaridhënie.
Përqendrimi i pothuajse gjithë fuqisë institucionale në duart e një partie dhe të një njeriu nuk është zgjidhje, është rrezik për demokracinë dhe dëm për shtetin, tashmë e dëshmuar kjo që gjashtë vite radhazi.
Jam kundër zgjedhjeve të reja, por shmangia e tyre nuk mund të jetë arsye që deputetët të votojnë një marrëveshje që u prezantohet si fakt i kryer.
Emrat e diskutuar për President të Republikës nuk janë konsultuar paraprakisht me deputetët e LDK-së. Nëse nevojiten votat tona, konsultimi është dashur të bëhet para marrëveshjes, jo pasi ajo është arritur dhe është bërë publike.
Askush nuk mund ta negociojë votën e një deputeti dhe pastaj, nëse nuk e merr atë votë, ta bëjë deputetin përgjegjës për zgjedhje të reja.
Pastaj mos të harrojmë se zgjedhjet nuk shmangen me çdo kusht me zgjedhjen e presidentit sepse Kuvendi për shkak të LVV ka bërë shkelje kushtetuese dhe është kalu afatin 30 ditor për konstituim.
Deri në ditën e fundit të angazhimit tim politik do të përpiqem ta përfaqësoj më së miri besimin që më kanë dhënë qytetarët dhe të votoj sipas bindjes sime dhe interesit të vendit.
53,788 vota nuk janë vetëm privilegj, janë përgjegjësi dhe këtë përgjegjësi nuk ia delegoj askujt.
Demokraci!/lajmi.net/