KFOR: Çështja e hapjes së Urës së Ibrit s’lidhet me ndryshimet tona operacionale, për të vendos Kosova dhe BE

Ndryshimi i statusit të Urës së Ibrit, nëse do të hapet për qarkullim të automjeteve ose jo, nuk është e lidhur me KFOR-in dhe ndryshimet potenciale të kësaj force të NATO-s në qëndrimin e saj. Kështu ka thënë një zëdhënës i KFOR, të pyetur nëse ka ndonjë risi sa i përket ndryshimit të pozicionimit, përfshirë…

Lajme

03/11/2026 15:56

Ndryshimi i statusit të Urës së Ibrit, nëse do të hapet për qarkullim të automjeteve ose jo, nuk është e lidhur me KFOR-in dhe ndryshimet potenciale të kësaj force të NATO-s në qëndrimin e saj.

Kështu ka thënë një zëdhënës i KFOR, të pyetur nëse ka ndonjë risi sa i përket ndryshimit të pozicionimit, përfshirë edhe atë statik të trupave të tyre mbi Urën e Ibrit.

KFOR tutje potencon, se vendimi për hapjen e Urës iu përket institucioneve të Kosovës dhe BE-së.

“KFOR-i nuk ka asnjë autoritet vendimmarrës për të përcaktuar nëse Ura e Ibrit duhet të hapet për qarkullimin e automjeteve. Çdo hapje e mundshme është çështje në vete, që u takon institucioneve përkatëse në Kosovë dhe BE-së; ajo nuk është pasojë e ndonjë ndryshimi në qëndrimin e KFOR-it”, ka potencuar ky zëdhënës për Express.

Sa i përket mundësisë së ndryshimit të pranisë së përhershme mbi Ibër, nga KFOR-i theksojnë se është pjesë e një procesi të gjerë të optimizimit të strukturës ushtarake në Kosovë, si reflektim i përmirësimit të situatës së sigurisë.

Megjithatë theksojnë se ky proces mund të rikthehet në gjendjen e mëparshme në rast të ndonjë zhvillimi që mund të ketë pasoja në sigurinë afatgjate dhe në stabilitetin rajonal.

“Kalimi gradual i pranisë së përhershme të KFOR-it në Urën e Ibrit është pjesë e një procesi më të gjerë optimizimi dhe pasqyron përmirësimin e situatës së sigurisë. Ky proces është gradual, varet nga kushtet përkatëse dhe mund të kthehet në gjendjen e mëparshme, nëse e kërkojnë zhvillimet që mund të ndikojnë në sigurinë afatgjatë në Kosovë dhe në stabilitetin rajonal. Procesi i nënshtrohet vlerësimeve të rregullta në terren”, ka shtuar ky zëdhënës për Express.

“KFOR-i vazhdon të mbajë një prani që përshtatet vazhdimisht në anën veriore të Urës së Ibrit, si dhe një prani dinamike si në Mitrovicën e Veriut, ashtu edhe në atë të Jugut, e në mbarë Kosovën veriore. Kjo qasje fleksibile, e cila është edhe e dukshme, edhe e lëvizshme, do të na mundësojë të mbetemi në pozicionin më të favorshëm për të kontribuar në sigurinë lokale, në dobi të të gjitha komuniteteve.Personeli ynë mbetet i gatshëm të reagojë ndaj çdo zhvillimi përkatës që lidhet me sigurinë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in – në rolet e tyre përkatëse si akterë të sigurisë – dhe në përputhje me mandatin e kahershëm të KFOR-it nga ana e OKB-së”, ka përfunduar ky zëdhënës i KFOR-it.