IKSHPK-ja vë në funksion metodën për zbulimin e 31 pesticideve në fruta dhe perime
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka vënë në funksion një metodë të re analitike për përcaktimin e mbetjeve të pesticideve në fruta dhe perime. Sipas njoftimit të IKSHPK-së, metoda është funksionalizuar në kuadër të Laboratorit të Pesticideve, pranë Departamentit të Ekologjisë Humane, dhe mundëson analizimin e mbetjeve të 31 pesticideve të ndryshme.…
Lajme
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka vënë në funksion një metodë të re analitike për përcaktimin e mbetjeve të pesticideve në fruta dhe perime.
Sipas njoftimit të IKSHPK-së, metoda është funksionalizuar në kuadër të Laboratorit të Pesticideve, pranë Departamentit të Ekologjisë Humane, dhe mundëson analizimin e mbetjeve të 31 pesticideve të ndryshme.
Përcaktimi i tyre bëhet përmes kromatografisë së gaztë (GC-MS), duke përdorur pajisjen GC Agilent 8890, të lidhur me spektrometrin e masës (MS) 5977B.
Metoda përfshin kategori të ndryshme të pesticideve, përfshirë ato organoklorike, triazine, herbicide dhe insekticide piretroide.
IKSHPK ka bërë të ditur se kapaciteti aktual i laboratorit është pesë mostra në javë, ndërsa pritet që ky kapacitet të rritet në të ardhmen.
Sipas institutit, vënia në funksion e kësaj metode zgjeron mundësitë analitike për monitorimin e mbetjeve të pesticideve në fruta dhe perime, duke kontribuar në mbrojtjen e shëndetit publik dhe vlerësimin e sigurisë së ushqimit. /Lajmi.net/