Humbje që dhemb

Ylli i Holandës, Arjen Robben ka pranuar se humbja nga Argjentina pas penalltive është një goditje e rëndë për skuadrën e tij. Por, ai insiston se ata duhet të vazhdojnë të jenë të bashkuar.

Sport

10/07/2014 09:25

Holanda në gjunj. Kësaj radhe penalltitë nuk i sollën fat ekipit të selektorit Louis van Gaal.

Arjen Robben është i zbehtë pas përfundimit të duelit me Argjentinën në gjysmëfinale të Kampionatit botëror ku skuadra e tij u mposht pas penalltive me rezultat 4:2.

“Është ndjenjë e rëndë të humbni me penallti në një gjysmëfinale të një Botërori, jemi të dëshpëruar”, deklaroi ai.

“Kemi dhënë maksimumin në fushë, ashtu siç fitohet së bashku, andaj tani kemi humbur të gjithë së bashku”, shtoi Robben për “Sky Sport”.

“Jemi dhe mbetemi një skuadër e bashkuar. Tani nuk arrij të mendoj për ndeshjen e pozitës së tretë, deshëm të fitojmë tani për të luajtur të dielën atë që do të ishte një sukses përfundimtar”, u shpreh ai. Në ndeshjen e vlefshme për pozitën e tretë, Holanda do të luajë kundër Brazilit.