“Shumë shpejtë lajmi për stadiumin nacional” – Çfarë po paralajmërohet?
Çështja e ndërtimit të stadiumit të ri në Prishtinë, i cili do t’i shërbente edhe Kombëtares së Kosovës, është rikthyer në fokus pas vizitës dyditore të përfaqësuesve të lartë të UEFA-s në Kosovë. Pas takimit me ministrin e Sportit, Blerim Gashani, dhe vizitës në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali dhe stadiumin “Fadil Vokrri”, delegacioni…
Lajme
Çështja e ndërtimit të stadiumit të ri në Prishtinë, i cili do t’i shërbente edhe Kombëtares së Kosovës, është rikthyer në fokus pas vizitës dyditore të përfaqësuesve të lartë të UEFA-s në Kosovë.
Pas takimit me ministrin e Sportit, Blerim Gashani, dhe vizitës në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali dhe stadiumin “Fadil Vokrri”, delegacioni i UEFA-s, i përbërë nga Petr Fousek dhe Thierry Favre, ka zhvilluar edhe një takim me kryetarin e Kryeqytetit, Përparim Rama.
Në këtë takim, ku ishte i pranishëm edhe drejtori i Sportit në Prishtinë, Granit Geci, si dhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, takim në të cilin, siç bën të ditur Federata e Furtbollit të Kosovës, u diskutua për ndërtimin e stadiumit të ri të qytetit dhe Kombëtares, mbështetjen e UEFA-s për realizimin e projektit, si dhe mundësinë që Prishtina të jetë nikoqire e ngjarjeve të rëndësishme të futbollit evropian, përfshirë finalet e garave të UEFA-s.
Palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe koordinimit mes FFK-së, Komunës së Prishtinës dhe UEFA-s për realizimin e këtij projekti strategjik. Një stadium modern, që përmbush standardet më të larta të UEFA-s, do të krijonte mundësi të reja për organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare të futbollit në kryeqytet.
Ndërkohë, ministri i Sportit, Blerim Gashani, gjithnjë sipas FFK-së,gjatë takimit me delegacionin e UEFA-s ka bërë të ditur se, krahas vazhdimit të punimeve në stadiumet ku aktualisht po punohet, shumë shpejt do të dëgjohet lajmi për fillimin e ndërtimit të stadiumit nacional.