Haxhiu paralajmëron presion nga Qeveria: Deputetë të VV-së po e përkrahin tërheqjen nga Trusti

Projektligji që ua mundëson qytetarëve tërheqjen e 30% të mjeteve të kursyera në Trust, u është shpërndarë sot deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Lajme

27/04/2022 11:05

Kështu ka njoftuar deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, shkruan lajmi.net.

Haxhiu ndryshe ishte edhe njëri nga iniciuesit e kësaj mundësie për tërheqjen e 30 për qind të Trustit.

Rreth kësaj çështjeje, proceduarave që do pasojnë dhe përkrahjes që mund ta marrë ky Projektligj nga partitë politike, si ato në opozitë si ato në pozitë, për lajmi.net, është prononcuar vetë Bekim Haxhiu.

Ai tregoi se ky Projektligj duhet së pari të marrë pëlqimin e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Transfere, e që pastaj të dërgohet në seancë parlamentare, duke shtuar se ky Projektligj edhe pse në aspektin procedural është proceduar nga PDK-ja, faktikisht, sipas tij, ka qenë kërkesë e qytetarëve.

“Tashmë projektligji duhet ta marrë pëlqimin e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Transfere dhe pastaj vjen në seancë parlamentare. Unë kërkojë që Komisioni Parlamentar mos ta vonojë dhe ta procedojë sa më shpejt në seancën parlamentare. Besoj shumë që deputetët do të votojnë me integritetet do ta dëgjojnë zërin e qytetarëve, sepse ky Projektligj është iniciativë dhe kërkesë e qytetarëve, ndërsa në aspektin procedural  e kemi proceduar ne si subjekt politik, si Parti Demokratike e Kosovës dhe po kërkoj nga deputetët që ta mbështesin”, tha Haxhiu.

Tutje, ai tha se mund të ketë presion që bëhet nga ana Qeverisë, por që deputetët duhet të tregojnë integritet.

“Kam biseduar me shumicën prej tyre, janë pro e këtij pro këtij projektligji, mund të ketë presione nga Qeveria, por deputetët duhet ta tregojnë integritetin e tyre që janë përfaqësues të popullit”, shtoi ai.

I pyetur rreth zërave kundërshtues që mund të vijnë qoftë nga opozita apo pozita, ai tha se përveç opozitës që e përkrah, ka zëra “pro” këtij projektligji edhe nga pozita.

“Zëra kundërshtues nga opozita nuk ka, ka zëra përkrahës edhe brenda pushtetit, ndërsa opozita është pro këtij projektligji”, përfundoi Haxhiu.

Duhet kujtuar se kërkesa për tërheqje të mjeteve nga Trusti është kërkesë e cila ka ardhur si pasojë e krizës ekonomike që e ka përfshirë Kosovën, duke u rritur çmimet për produktet esenciale por edhe çmimet e naftës dhe energjisë elektrike.

Por, kundër këtij propozimi vazhdimisht ka qenë Qeveria e Kosovës. Kryeministri i vendit, Albin Kurti , pati deklaruar se tërheqja e një pjese të parave nga Trusti nuk e zgjidh problemin e qytetarëve.

Ai ka thënë se edhe ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtarë kanë deklaruar se tërheqja e një përqindje nga Trusti kanë dhënë mendim të njëjtë.

“Kemi thënë edhe më herët edhe si opozitë në 2020, edhe 2021 në qeveri me Pakon e Ringjalljes Ekonomike e zbusim krizën, mirëpo nuk konsiderojmë që duke marrë nga pleqëria individuale e punëtorëve të tanishëm do të mund ta zgjedhim problemin. Edhe dy ekspertë të FMN-së e kanë dhënë vlerësimin se një zgjidhje e tillë nuk është zgjidhje”, pati deklaruar Kurti.

Ndërsa ministri i Financave dhe Trasnfereve, Hekuran Murati, gjatë ditës së djeshme tha se tërheqja e mjeteve të Trust-it, shkakton precedent të rrezikshëm.

“Kjo do të shkaktonte precedent të rrezikshëm, pra po vërtetohet ajo që e kemi thënë edhe më parë për mjetet e TRUST-it. Ky fond nuk do të mund të ndihmojë ato familje që kanë nevojë”, tha ai.

Pavarësisht mohimit të Qeverisë së Kosovës, qytetarët vazhdojnë që të kërkojnë lejimin e tërheqjes së 30 për qind të kursimeve të pleqërisë./Lajmi.net/