Aktakuzë ndaj tre personave për shitjen e kokainës, gjatë kontrolleve u sekuestruan afro 5 kilogramë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave me inicialet A.I., B.M. dhe F.U., nën dyshimin për shitje të paautorizuar të narkotikëve dhe posedim të paautorizuar të armëve. Sipas aktakuzës së dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, më 22 prill 2025, rreth orës 15:00, të pandehurit dyshohet se, në bashkëkryerje dhe…

Lajme

19/10/2026 15:45

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave me inicialet A.I., B.M. dhe F.U., nën dyshimin për shitje të paautorizuar të narkotikëve dhe posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas aktakuzës së dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, më 22 prill 2025, rreth orës 15:00, të pandehurit dyshohet se, në bashkëkryerje dhe pas koordinimit paraprak, kanë shitur një kilogram kokainë në vlerë prej 27 mijë eurosh.

Gjatë kontrolleve policore, sipas Prokurorisë, janë sekuestruar gjithsej 4 kilogramë e 955.62 gramë kokainë, si dhe pajisje që dyshohet se janë përdorur për paketimin e narkotikëve.

Përveç akuzave për narkotikë, të pandehurit F.U. dhe B.M. akuzohen edhe për posedim të paautorizuar të armëve të zjarrit. Sipas aktakuzës, ata dyshohet se, nga një datë e papërcaktuar deri më 22 prill 2025, në Prishtinë, kanë mbajtur në pronësi dhe nën kontroll pistoleta në kundërshtim me Ligjin për Armët.

Prokuroria Speciale i ka propozuar gjykatës edhe konfiskimin e pasurisë ndaj së cilës është nxjerrë urdhër ndalues përfundimtar, në përputhje me dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.