Hamza: PDK i ka gati 22 nënshkrime, nuk po flasim për zhbërjen e Gjykatës Speciale
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se mbledhja e Kryesisë dhe Grupit Parlamentar, nuk është zhvilluar me qëllim të një kërkese për zhbërjen e Gjykatës Speciale, pas vendimit dënues ndaj katër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hamza, në një konferencë për media, tha se PDK-ja nuk do t’i ikë përgjegjësisë…
Lajme
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se mbledhja e Kryesisë dhe Grupit Parlamentar, nuk është zhvilluar me qëllim të një kërkese për zhbërjen e Gjykatës Speciale, pas vendimit dënues ndaj katër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Hamza, në një konferencë për media, tha se PDK-ja nuk do t’i ikë përgjegjësisë lidhur me obligimet që, sipas tij, janë marrë në raport me këtë gjykatë.
Megjithatë, ai bëri të ditur se varësisht nga hapat e mëtejmë që do të ndërmerren në drejtim të kësaj çështje, ky subjekt politik i ka 22 nënshkrime të gatshme.
“PDK i ka nënshkrimet e gatshme, domethënë 22 nënshkrime janë të gatshme, dhe varësisht prej nevojave ne do të procedojmë edhe prej situatave të krijuara”, tha Hamza.
Por, kreu i kësaj partie theksoi se nuk po flitet për zhbërjen e Gjykatës Speciale, por për përshtatje ndaj një situate të re.
“Ne nuk po flasim për zhbërjen e Gjykatës Speciale, po flasim për përshtatjen në një situatë të re”, u shpreh ai.
Hamza tha po ashtu se PDK-ja nuk dëshiron t’i shmanget obligimit që lidhet me hetimin e pretendimeve të përfshira në raportin e Dick Martyt.
“Ne nuk po i ikim obligimit që e kemi marrë, që Gjykata t’i hetojë, t’i prezantojë, t’i faktojë të gjitha gjetjet e raportit të Dick Martyt, për çka edhe është krijuar Gjykata.
Dhe çka do që të ketë nga ai raport për trafikime organesh e çështje të tjera, Shtëpinë e Verdhë e dimë që ka qenë objekt i ndërtimit të atij raporti dhe bazë për krijimin e kësaj gjykate, aty do jemi, ne nuk i ikim kësaj përgjegjësie”, tha Hamza.