Hajdari për mundësinë për balotazh në Drenas: I përket të kaluarës, qytetari po flet çdo ditë bindshëm, këtë do ta vërtetojë 12 tetori
Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Petrit Hajdari, në një intervistë të shkurtër për lajmi.net, ka folur për arsyet e kandidimit, programin e tij, reagimet e kundërkandidatëve dhe pritshmëritë për zgjedhjet lokale. Ai ka theksuar se në qendër të angazhimit të tij mbetet qytetari i Drenasit dhe vizioni për një të ardhme më të…

Lajme
Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Petrit Hajdari, në një intervistë të shkurtër për lajmi.net, ka folur për arsyet e kandidimit, programin e tij, reagimet e kundërkandidatëve dhe pritshmëritë për zgjedhjet lokale.
Ai ka theksuar se në qendër të angazhimit të tij mbetet qytetari i Drenasit dhe vizioni për një të ardhme më të mirë.
Hajdari në përgjigjet e tij foli për mundësinë për balotazh dhe për kundërkandidatin e tij, Ramiz Lladrovci.
Intervista e plotë:
Pyetje: Si erdhët në përfundim që t’i hyni garës për zgjedhjet lokale? A ka qenë dëshirë e kahmotshme?
Petrit Hajdari: “Shërbimi. Kryefjala e kandidaturës sime është shërbimi, siç ka qenë kryefjala e karrierës sime deri tash. Qytetari i Drenasit më ka nderuar vazhdimisht duke më nxjerrë kandidatin më të votuar në çdo palë zgjedhje me radhë. Këtë nder do ta kthej me shërbim ndaj tyre.”
Pyetje: Cilat pritet të jenë pikat kryesore të planprogramit tuaj?
Petrit Hajdari: “Programi ynë është një vizion për Drenasin i përpiluar nga ekspertët e fushave përkatëse nga Drenasi dhe jo vetëm. Atë do ta shpalosim në detaje në takime me qytetarë dhe për medie ditëve në vijim dhe gjatë fushatës.”
Pyetje: Si e keni parë reagimin e kryetarit të tanishëm të Drenasit, Ramiz Lladrovci, pasi ju u zyrtarizuat si kandidat nga radhët e PDK-së?
Petrit Hajdari: “Nuk dua t’i komentoj gjatë reagimet e cilitdo nga kundërkandidatët e mi. Për mua qendra e diskutimeve është qytetari i Drenasit dhe opsionet e mundshme të shërbimit ndaj tij.”
Pyetje: A besoni në një fitore pa balotazh?
Petrit Hajdari: “Balotazhi në Drenas i përket të kaluarës. Qytetari po flet çdo ditë dhe po flet bindshëm. Këtë do ta vërtetojë 12 tetori. Këtu do të jemi.”
Pyetje: A jeni të kënaqur me mbështetjen që e keni marrë brenda partisë pasi u zyrtarizuat si kandidat?
Petrit Hajdari: “Absolutisht jam i nderuar, madje i prekur nga ky besim që rrënjët i ka në procese demokratike të zgjedhjes e të konfirmimit. Vota është e shenjtë dhe unë e nderoj shumë votën e kryesisë, duke përfshirë ata që s’më kanë votuar. Të gjithë i kam kolegë të angazhimit politik dhe sot Drenasin, e më pas krejt Kosovën, do ta bëjmë bashkë më të jetueshme e më të bukur. Ky vizion përbashkues do të dominojë në Drenas e jo vetëm në Drenas”./lajmi.net/