Gjuriq i reagon Thaçit: Përderisa ekziston Serbia, Kosova kurrë nuk do të jetë pjesë e Shqipërisë
Drejtori i Zyrës për Kosovë në qeverinë serbe, Marko Gjuriq ka thënë se Kosova kurrë nuk do të jetë pjesë e Shqipërisë.
Lajme
“Asnjë hapësirë e Serbisë kurrë nuk do të ndahet, kjo u vendos në maj të vitit 1945 kur nazistët u mposhtën”, ka deklaruar Gjuriq, duke e konsideruar Kosovën ende si pjesë të Serbisë, përcjell lajmi.net.
Ai ka theksuar se presidenti kosovar, Hashim Thaçi duhet ta dijë se Serbia kurrë nuk do ta lejojë një gjë të tillë dhe se çdo formë e separatizmit është në kundërshtim me normat e të drejtës ndërkombëtare.
Ky reagim i Gjuriqit ka ardhur pasi sot Thaçi tha se Lugina e Preshevës duhet të bashkohet me Kosovën, njësoj sikurse Kosova që duhet të bashkohet natyrshëm me Shqipërinë, nën ombrellën e përbashkët të BE-së ose edhe vetëm nën ombrellën shqiptare.
Idenë e krijimit të “Shqipërisë së Madhe”, Gjuriq e ka quajtur fashiste dhe ka përsëritur se kjo është mposhtur më 9 maj 1945.
“Kjo është një heshtje e ‘mrekullueshme’ nga zyrtarët ndërkombëtar”, ka shtuar ai, duke kritikuar bashkësinë ndërkombëtare për mos reagim. /Lajmi.net/