Gjergj Bojaxhi kandidon për kryetar të Tiranës
Ish-kreu i KESH-it shpalli kandidaturën e tij si i pavarur për postin e kryetarit të bashkisë së Tiranës në zgjedhjet vendore të 21 qershorit.
Lajme
Gjergj Bojaxhi tha se ky vendim i tij ka lidhje me synimin e qartë për t’ia rikthyer Tiranën qytetarëve. Ai premtoi për ta bërë Tiranën një qytet më dinjitoz, më të jetueshëm dhe më të motivueshëm. Nga sheshi “Nënë Tereza”, Bojaxhi tha paraditen e së hënës se nis një sfidë e vështirë për t’ia kthyer Tiranën qytetarëve.
“Tre vjet më parë, bashkë me një grup alpinistësh ngritëm flamurin shqiptar në pikën më të lartë të botës. Atje në majë të Everestit, kuptova se çdo sfidë është e përballueshme, çdo vështirësi është e tejkalueshme, kur njerëzit gjejnë brenda vetes vendosmërinë dhe kurajën. Me këtë kurajë e vendosmëri jemi sot para jush për të nisur një sfidë të vështirë: kthimin e Tiranës tek qytetarët. Optimizmi dhe entuziazmi ynë është më i madh se vështirësia e kësaj sfide. Sepse ne dimë një gjë shumë të rëndësishme”, tha Gjergji.
Gjergji Bojaxhi iu fut politikës nëpërmjet KOP-it të Partisë Demokratike, por prej gati tre vjetësh ai ka shkëputur lidhjet me këtë parti. Mësohet se prej disa ditësh Bojaxhi ka ngritur shtabin e tij elektoral, në përbërje të të cilit ka ish-aktivistë të PD-së. Ai ka qenë drejtor i KESH-it, zëvendësministër i Ekonomisë dhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës.
“Dimë që ne, të zhgënjyerit nga partitë dhe bizneset e tyre, jemi shumë më tepër se ata që përfitojnë nga to. Ne, që nuk gjejmë në Tiranë siguri, qetësi, ajër të pastër, rrugë të lira, shkolla pa turne, jemi shumë më tepër se ata që votojnë symbyllur partitë e vjetra të tranzicionit. Ne jemi shumica, ndaj ju ftojmë të gjithëve ta bashkojmë këtë shumicë për ta rimarrë qytetin në duart tona. Ne Tirana, ne shumica, do ta bëjmë këtë qytet më të gjelbër për fëmijët, më të hapur për këmbësorët, më tërheqës për sipërmarrësit, më motivues për nxënësit, më të jetueshëm për banorët dhe më dinjitoz për të gjithë”, përfundon Bojaxhi.