Gërvalla: Kemi arritur në një pikë ku mund të jetë tërësisht e pamundur të vazhdohet konstituimi i këtij Kuvendi

Kryetarja e partisë “Guxo”, Donika Gërvalla, ka thënë se më dështimin e seancës së sotme, kanë arritur në një pikë ku mund të jetë tërësisht e pamundur që të vazhdohet konstituimi i Kuvendit. Seanca e sotme është ndërprerë, meqë deputetët s’arritën të kalonin pikën e parë të rendit të ditës, atë të miratimit të raportit…

Lajme

15/04/2025 21:45

Kryetarja e partisë “Guxo”, Donika Gërvalla, ka thënë se më dështimin e seancës së sotme, kanë arritur në një pikë ku mund të jetë tërësisht e pamundur që të vazhdohet konstituimi i Kuvendit.

Seanca e sotme është ndërprerë, meqë deputetët s’arritën të kalonin pikën e parë të rendit të ditës, atë të miratimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.

Gërvalla tha se përsëritja e këtij votimi nuk parashihet në asnjërën prej dokumenteve ligjore të Kuvendit.“E dështuan punën e këtij Kuvendi, pa startuar ende. E dështuan, sepse Kuvendi nuk mundi të vazhdoj punën., Tani kemi hyrë nëpër procedura të ndërlikuara sepse ky votimi nuk parashihet përsëritja e tij në asnjërën prej rregulloreve dhe dokumenteve ligjore të Kuvendit. Kemi arritur në një pikë ku mund të jetë tërësisht e pamundur të vazhdohet konstituimi i këtij Kuvendi”, ka deklaruar Gërvalla në Tëvë1.

Gërvalla tha se deputetët që votuan kundër raportit sot, “ngritën dorën edhe kundër mandatit të tyre”.Atë çfarë ndodhi sot, Gërvalla e cilësoi si “lojë”, teksa pyeti nëse do të shkojë vendi në zgjedhje shkaku i situatës së sotme.

Seanca konstituive e Kuvendit ka dështuar sot, pasi raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve nuk mori votat e mjaftueshme të deputetëve.

Në këto rrethana dhe pas konsultimit të partive, Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërpreu punimet dhe deklaroi se do t’i drejtohen Presidentes Vjosa Osmani, se si të veprohet më tutje.

Deri tani, në adresë të Osmanit nuk ka shkuar asnjë letër.

Në këtë seancë duhej që deputetët, pas miratimit të raportit, të bënin betimin dhe të zgjidhinin kryetarin dhe nënkryetarët.