Gazetari i REL-it, Kuznechyk shënon vitin e tretë në burg në Bjellorusi
Gazetari i Radios Evropa e Lirë (REL), Andrey Kuznechyk, e shënoi vitin e tretë në burg më 25 nëntor, për akuza të cilat ai, punëdhënësi i tij dhe organizatat për të drejtat e njeriut i cilësojnë si të motivuara politikisht. Kuznechyk, babai i dy fëmijëve, u arrestua më 25 nëntor 2021, dhe fillimisht u dënua…
Bota
Gazetari i Radios Evropa e Lirë (REL), Andrey Kuznechyk, e shënoi vitin e tretë në burg më 25 nëntor, për akuza të cilat ai, punëdhënësi i tij dhe organizatat për të drejtat e njeriut i cilësojnë si të motivuara politikisht.
Kuznechyk, babai i dy fëmijëve, u arrestua më 25 nëntor 2021, dhe fillimisht u dënua me 10 ditë burgim për huliganizëm, akuzë që e kishte mohuar.
Pasi e kreu atë dënim, Kuznechyk nuk u lirua por u akuzua për krijimin e një grupi ekstremist, një vendim për të cilin zyrtarët nuk i kishin njoftuar të afërmit dhe kolegët e Kuznechykut për muaj të tërë.
Më 8 qershor 2022, gjykata rajonale në lindje të vendit e shpalli Kuznechykun fajtor dhe e dënoi me gjashtë vjet burgim. Gjykimi ndaj tij zgjati vetëm një ditë.
Grupet për të drejtat e njeriut në Bjellorusi e kanë njohur Kuznechykun si të burgosur politik. Kuznechyk punon për Shërbimin bjellorus të REL-it, i njohur në vend si Radio Svaboda.
Kuznechyk, i cili ka këmbëngulur për pafajësinë e tij, dhe rreth 150 të burgosur politikë të tjerë bjellorusë, përfshirë një tjetër gazetar të REL-it, Ihar Losik, dhe ish-kandidatin e mundshëm presidencial Viktar Babaryka, po i vuajnë dënimet në të njëjtën burg në qytetin verior të Navapolatskut.
Që nga zgjedhjet e diskutueshme presidenciale të gushtit 2020, të cilat nxitën protesta masive kundër fitores së sundimtarit autoritar, Alyaksandr Lukashenka, dhjetëra mijëra bjellorusë janë arrestuar për shprehjen e mospajtimit me regjimin.
Shumica e politikanëve të opozitës, të cilët thonë se votimi ishte manipuluar, janë detyruar të largohen nga vendi duke pasur frikë për sigurinë dhe lirinë e tyre.
Shumë qeveri perëndimore kanë refuzuar ta njohin rezultatet e zgjedhjeve dhe nuk e konsiderojnë Lukashenkan si udhëheqës legjitim të vendit.
Shumë vende kanë vendosur disa raunde sanksionesh kundër regjimit të tij si përgjigje ndaj shtypjes kundërshtarëve në vend.
Kuznechyk është një nga tre gazetarët e REL-it – Losik dhe Vladyslav Yesypenko janë dy të tjerët – aktualisht të burgosur për akuza të lidhura me punën e tyre.
Grupet për të drejtat e njeriut dhe REL-i kanë bërë thirrje në mënyrë të përsëritur për lirimin e të treve, duke thënë se ata janë ndaluar padrejtësisht.
Losik është një bloger dhe kontributor për Shërbimin bjellorus të REL-it, i cili u dënua në dhjetor 2021 për disa akuza, duke përfshirë “organizimin dhe përgatitjen e veprimeve që shkelin rëndë rendin publik” dhe u dënua me 15 vjet burg.
Yesypenko, me shtetasi të dyfishtë ukrainase dhe ruse që kontribuoi për Crimea.Realities, një media rajonale e Shërbimit ukrainas të REL-it, u dënua në shkurt 2022 me gjashtë vjet burg nga një gjykatës rus në Krimenë e pushtuar, pas një gjyqi me dyer të mbyllura.
Ai u dënua për “posedim dhe transport të eksplozivëve”, një akuzë që ai e mohon kategorikisht.