Frroku rrëzon Doshin sy më sy: Nuk kam ditur gjë për atentatin

Deputeti i Partisë Kristian Demokrate Mark Frroku i ka rrëzuar sy më sy Doshit, pretendimin se ka qenë ai personi që e ka lajmëruar për një atentat të mundshëm ndaj tij gjashtë muaj më parë.

Lajme

09/03/2015 15:16

Pas dy orëve dëshmi në zyrën e prokurorëve, në një ballafaqim me Tom Doshi, kolegu dhe miku i tij, është shprehur për A1 Report se i ka qëndruar dëshmisë që dha të premten kur tha se nuk ka pasur asnjë dijeni për atentatin.

Me këtë dëshmi, Frroku rrëzon për së dyti alibinë e Doshit, i cili deklaroi publikisht në media se ishte kolegu i tij i kristian-demokrat që e kishte sinjalizuar për planin e vrasjes së tij gjashtë muaj më parë dhe që e kishte prezantuar me Durim Bamin, personi që Doshi pretendon se ishte paguar nga Meta për eliminimin fizik të tij. Kjo përbën një kthesë rrënjësore në hetimet e nisura pas deklaratave publike të deputetit të përjashtuar nga PS se kreu i Kuvendit Ilir Meta kishte paguar 600 mijë euro për eliminimin fizik të tij dhe të deputetit demokrat të Lezhës Mhill Fufi.