Faji te sistemi zgjedhor

Jakup Krasniqi ka pritur sot shefin e ENEMO’s, Zlatko Vujovic. I pari e ka quajtur të komplikuar sistemin aktual të zgjedhjeve. Ndërsa Vujovic paralajmëron raport final mbi ecurinë e zgjedhjeve, në janar.

Lajme

26/11/2013 13:35

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka pritur sot Shefin e Rrjetit të Organizatave Europiane Monitoruese të Zgjedhjeve (ENEMO), Zlatko Vujovic.

Gjatë takimit, Krasniqi e Vujovic biseduan rreth procesit zgjedhor lokal në Kosovë dhe nevojën e përfundimit të reformës zgjedhore.

Vujovic ka theksuar se ENEMO ka vëzhguar raundin e parë të zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit, e pjesërisht edhe procesin e numërimit të votave dhe ka pohuar se do të monitorojnë edhe raundin e dytë të këtyre zgjedhjeve, më 1 dhjetor.

“Gjatë muajit janar, misioni të cilin e drejtoj, do të përgatisë Raportin final për ecurinë e këtyre zgjedhjeve, raport ky që, do të jetë shumë i vlefshëm për reformën zgjedhore në Kosovë”.

Kryeparlamentari Krasniqi ka shprehur kënaqësinë që i ka dhënë Bashkimi Evropian zgjedhjeve lokale në Kosovë, të cilat i ka vlerësuar më të mira se zgjedhjet e mëparshme.

Ai ka thënë se sistemi aktual zgjedhor po del të jetë i komplikuar për shumë qytetarë.

“Sistemi aktual zgjedhor duket se është i komplikuar për një pjesë të madhe të qytetarëve të Kosovës, ka një numër të madh të votave të pavlefshme, mbi 16 mijë sosh, ose rreth 12 për qind të numrit të përgjithshëm të votave”.

Në këtë drejtim, Krasniqi, është angazhuar në një sistem më të thjeshtë dhe me të qartë zgjedhor, duke qenë i bindur se Raporti final i ENEMO’s për ecurinë e këtyre zgjedhjeve do ta ndihmojë reformën e sistemit zgjedhor në Kosovë.