Përfaqësimi i Malit të Zi në përvjetorin e “Olujës” trazon serbët dhe Vuçiqin

Vendimi i Malit të Zi për të dërguar një përfaqësues diplomatik në shënimin e 31-vjetorit të operacionit ushtarako-policor kroat “Oluja” (Stuhia) , të martën, ka shkaktuar reagime të rrepta te serbët, përfshirë edhe atë të Aleksandar Vuciq që “falënderoi” qeverinë në Podgoricë për këtë veprim. Mali i Zi u përfaqësua në ceremoninë e mbajtur në…

Lajme

05/08/2026 15:19

Vendimi i Malit të Zi për të dërguar një përfaqësues diplomatik në shënimin e 31-vjetorit të operacionit ushtarako-policor kroat “Oluja” (Stuhia) , të martën, ka shkaktuar reagime të rrepta te serbët, përfshirë edhe atë të Aleksandar Vuciq që “falënderoi” qeverinë në Podgoricë për këtë veprim.

Mali i Zi u përfaqësua në ceremoninë e mbajtur në Knin nga i ngarkuari me punë i Ambasadës në Zagreb, në kuadër të kremtimit të asaj që në Kroaci quhet “Dita e Fitores, Dita e Mirënjohjes për Atdheun dhe Dita e Veteranëve Kroatë”.

Kabineti i presidentit të Malit të Zi, Jakov Milatoviq, deklaroi se pjesëmarrja në një ngjarje të tillë nuk përbën detyrim shtetëror për vendin e tij.

Sipas presidencës, përderisa në Kroaci operacioni “Oluja” konsiderohet simbol i fitores në luftë, për një numër të madh serbësh “ai mbetet simbol i vuajtjeve, dëbimit dhe humbjes së shtëpive”.

“Në politikën e përgjegjshme të Malit të Zi qytetar dhe evropian duhet të ketë respekt për të gjitha viktimat e luftërave në ish-Jugosllavi, pa qasje selektive”, thuhet në reagimin e kabinetit të Milatoviqit, raporton Danas, transmeton KosovaPress.

Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi sqaroi se përfaqësimi në ceremoninë në Knin është pjesë e praktikës së kahershme diplomatike. Ajo tha se gjatë dekadës së fundit, Podgorica zyrtare ka marrë pjesë rregullisht në këtë ngjarje përmes përfaqësuesve të misionit diplomatik në Zagreb, duke e cilësuar pjesëmarrjen në përkujtimet shtetërore të vendit pritës si praktikë të zakonshme ndërmjet vendeve fqinje dhe aleate në NATO.

Vendimi u kritikua edhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili kritikoi Malin e Zi që anashkaloi, sic tha, “viktimat serbe”.

“Mali i Zi zyrtar merr pjesë në shënimin e ‘Olujës’, por nuk ka dërguar askënd në përkujtimin e viktimave serbe në Mrkonjić Grad (në Bosnjë e Hercegovinë). Faleminderit Qeverisë së Malit të Zi”, u shpreh ai, përcjellë KosovaPress.

Kritika pati edhe nga disa politikanë pro-serbë në Mal të Zi. Lideri i Partisë Demokratike Popullore, Milan Knezheviq, e akuzoi qeverinë se po “i ngul thikë pas shpine” popullit serb, ndërsa deputeti i Partisë Popullore Socialiste, Bogdan Bozhoviq, vlerësoi se vendimi nuk mund të arsyetohet vetëm me protokollin diplomatik dhe nuk kontribuon në pajtim.

Edhe kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, që po ashtu vjen nga komuniteti serb, e përkujtoi përvjetorin duke e cilësuar 4 gushtin si një ditë “heshtjeje të dhimbshme” për bashkëkombasit e tij, teksa theksoi njëkohësisht rëndësinë e ruajtjes së paqes dhe bashkëjetesës.

Operacioni “Oluja”, i nisur më 4 gusht 1995, festohet në Kroaci si fitore vendimtare që riktheu kontrollin mbi pjesën më të madhe të territorit të mbajtur nga forcat kryengritëse serbe.

Në Serbi dhe te një pjesë e madhe e serbëve në rajon, ofensiva e madhe e ushtrisë së Zagrebit zyrtar konsiderohet si fillimi i eksodit të rreth 200 mijë serbëve nga Kroacia. Një numër i tyre u patën vendosur si refugjatë edhe në Kosovë.