Pesë zyrtarë të Listës Serbe thirren si të pandehur për “falsifikim dokumentesh”, Prokuroria konfirmon hetimet
Pesë përfaqësues të Listës Serbe janë ftuar nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë që të paraqiten për intervistim në cilësinë e të pandehurve, në kuadër të një hetimi për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, raporton lajmi.net. Bëhet fjalë për Igor Simiq, Ivan Zaporozhac, Ivan Todosijeviq, Zoran Todiq dhe Vasilije Tomasheviq, të cilëve u është dorëzuar ftesa…
Lajme
Pesë përfaqësues të Listës Serbe janë ftuar nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë që të paraqiten për intervistim në cilësinë e të pandehurve, në kuadër të një hetimi për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, raporton lajmi.net.
Bëhet fjalë për Igor Simiq, Ivan Zaporozhac, Ivan Todosijeviq, Zoran Todiq dhe Vasilije Tomasheviq, të cilëve u është dorëzuar ftesa për t’u paraqitur në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë më 13 gusht.
Rastin për lajmi.net, e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, i cili bëri të ditur se ndaj pesë personave është duke u zhvilluar një procedurë hetimore.
“Mund të konfirmojmë që pesë (5) persona janë ftuar për intervistim në cilësinë e të pandehurve, për shkak të veprës penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’. Rasti është në hetime”, deklaroi Preteni për lajmi.net.
Në këtë fazë, Prokuroria nuk ka bërë të ditura detaje shtesë lidhur me natyrën e dokumenteve që dyshohet se janë falsifikuar apo rrethanat në të cilat ka nisur hetimi.
Intervistimi i pesë zyrtarëve të Listës Serbe pritet të zhvillohet më 13 gusht, ndërsa pas marrjes së deklaratave të tyre pritet të vendosen hapat e mëtejmë proceduralë në këtë çështje.
Rasti mbetet në fazën e hetimeve dhe autoritetet nuk kanë dhënë informacione të tjera lidhur me dosjen. /Lajmi.net/