KRM “Pastrimi” reagon pas shpalljes së gjendjes emergjente në Podujevë: Kriza është krijuar ndër vite, jo brenda natës

KRM “Pastrimi” Sh.A. ka reaguar pas vendimit të Komunës së Podujevës për shpalljen e gjendjes emergjente në menaxhimin e mbeturinave, duke kundërshtuar deklarimet e komunës dhe duke paraqitur versionin e saj për gjendjen në Njësinë Operative në Podujevë. Përmes një komunikate, ndërmarrja thotë se vështirësitë financiare nuk janë krijuar së fundmi, por janë rezultat i…

Lajme

05/08/2026 16:22

KRM “Pastrimi” Sh.A. ka reaguar pas vendimit të Komunës së Podujevës për shpalljen e gjendjes emergjente në menaxhimin e mbeturinave, duke kundërshtuar deklarimet e komunës dhe duke paraqitur versionin e saj për gjendjen në Njësinë Operative në Podujevë.

Përmes një komunikate, ndërmarrja thotë se vështirësitë financiare nuk janë krijuar së fundmi, por janë rezultat i problemeve të akumuluara ndër vite.

Sipas KRM “Pastrimi”, tarifa për grumbullimin e mbeturinave në Podujevë ka mbetur e pandryshuar që nga viti 2008, në vlerë prej 4.70 euro me TVSH, pavarësisht rritjes së kostove të operimit, karburantit, mirëmbajtjes, pagave dhe shpenzimeve të tjera.

“Kjo ka bërë që Njësia Operative në Podujevë të funksionojë vazhdimisht me bilanc negativ financiar, ndërsa humbjet janë mbuluar nga njësia në Prishtinë”, thuhet në reagim.

Ndërmarrja pretendon gjithashtu se Komuna e Podujevës ende nuk i ka përmbushur obligimet financiare për investimet e realizuara, përfshirë objektin e ri të njësisë, duke rënduar edhe më tej gjendjen financiare.

Në komunikatë thuhet se, përveç kësaj, ndërmarrjes i janë marrë konsumatorët dhe inkasimi në pjesën më të madhe të territorit të komunës, të cilat, sipas saj, i janë kaluar një operatori privat vetëm me vendim administrativ.

“Kjo nuk është ndihmë për KRM ‘Pastrimi’. Përkundrazi, është goditja më e rëndë që mund t’i bëhet një ndërmarrjeje publike, sepse i merren të hyrat me të cilat mbijeton”, thuhet më tej.

KRM “Pastrimi” shprehet e shqetësuar edhe për atë që e quan krijim të një krize që, sipas saj, mund të përdoret për angazhimin e operatorëve privatë përmes kontratave emergjente.

Ndërmarrja paralajmëron se do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur të drejtat e saj, punëtorët dhe interesin publik, duke kundërshtuar çdo vendim që, sipas saj, rrezikon ekzistencën e Njësisë Operative në Podujevë.

Po ashtu, KRM “Pastrimi” ka ngritur shqetësimin se, nëse vazhdohet me qasjen aktuale, dhjetëra punëtorë mund të mbesin pa punë dhe pa paga.

Në fund të reagimit, ndërmarrja ka bërë të ditur se në ditët në vijim do të publikojë raporte të detajuara financiare mbi të hyrat, shpenzimet operative dhe pagat, me qëllim, siç thuhet, informimin e opinionit publik.