“Duka” nuk e pranon fajësinë për tentim vrasjen e Andi “Italianit” në Bon Vivant

Dukagjin Lekaj, i njohur edhe si Dukagjin Nikollaj, me nofkën “Duka”, i cili për vite me radhë ishte në kërkim edhe nga FBI-ja amerikane, është deklaruar i pafajshëm për akuzën e vrasjes së rëndë në tentativë ndaj Andi Pajazitit, lidhur me përplasjen e përgjakshme në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë. Në seancën e mbajtur të…

Lajme

06/11/2026 10:51

Dukagjin Lekaj, i njohur edhe si Dukagjin Nikollaj, me nofkën “Duka”, i cili për vite me radhë ishte në kërkim edhe nga FBI-ja amerikane, është deklaruar i pafajshëm për akuzën e vrasjes së rëndë në tentativë ndaj Andi Pajazitit, lidhur me përplasjen e përgjakshme në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë.

Në seancën e mbajtur të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Lekaj nuk e ka pranuar fajësinë për tentimvrasje, por është deklaruar fajtor për mbajtje të paautorizuar të armës.

Lekaj akuzohet për ngjarjen e 4 gushtit 2023, kur një përleshje me armë zjarri në lokalin e njohur të kryeqytetit përfundoi me vrasjen e Kastriot Ramadanit dhe plagosjen e disa personave të tjerë.

Pas kësaj ngjarjeje, “Duka” ishte larguar dhe kishte qëndruar në arrati deri në arrestimin e tij nga autoritetet spanjolle në vitin 2025.

Ai u ekstradua në Kosovë më 6 gusht 2026, pas një procesi bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve kosovare dhe atyre spanjolle.

Çfarë thotë aktakuza?

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të ngritur më 29 tetor 2026, Lekaj dyshohet se kishte tentuar ta privonte nga jeta Andi Pajazitin gjatë përplasjes në “Bon Vivant”.

Në dosjen e Prokurorisë përshkruhet se Lekaj, sapo e kishte parë Pajazitin duke hyrë në lokal, kishte marrë çantën ku mbante armën, e kishte vendosur përpara gjoksit dhe e kishte ftuar Pajazitin të afrohej te tavolina.

Pas tensionimit të situatës, sipas Prokurorisë, Kastriot Ramadani e kishte goditur Pajazitin dy herë me shishe në kokë, ndërsa Lekaj kishte tentuar të nxirrte armën.

Prokuroria pretendon se Hysni Geci kishte ndërhyrë duke ia mbajtur dorën Lekajt, në përpjekje për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.

Megjithatë, sipas aktakuzës, Lekaj kishte arritur ta nxirrte armën dhe, pasi Pajaziti ishte larguar nga lokali, e kishte ndjekur me armë në dorë, me qëllim që ta privonte nga jeta.

Këto janë pretendime të Prokurorisë, të cilat Lekaj i ka kundërshtuar duke mos e pranuar fajësinë për tentimvrasje.

Kush është “Duka”, i kërkuar edhe nga FBI-ja?

Emri i Dukagjin Nikollajt ishte i njohur për autoritetet amerikane shumë kohë përpara ngjarjes në “Bon Vivant”.

Ai figuronte në një fletëkërkim të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), nën dyshimet për përfshirje në trafikim ndërkombëtar të narkotikëve.

Sipas dosjes amerikane, Nikollaj dyshohej se gjatë viteve 2003–2007 kishte marrë pjesë në furnizimin me sasi të mëdha marihuane nga Kanadaja dhe shpërndarjen e tyre në zonën e New Yorkut.

Më 27 maj 2010, në Distriktin Jugor të New Yorkut, ndaj tij ishte lëshuar urdhërarrest federal për akuzën e komplotit për shpërndarje të narkotikëve.

Në fletëkërkimin e FBI-së ai përshkruhej si person që duhej konsideruar “i armatosur dhe i rrezikshëm”.

Megjithatë, arrestimi i tij në Spanjë, në lidhje me rastin “Bon Vivant”, ishte bërë në bazë të një letër-rreshtimi ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, përmes INTERPOL-it.

Nga vrasja e Kastriot Ramadanit te gjykimi i “Dukës”

Rasti “Bon Vivant” kishte përfunduar fillimisht me një proces gjyqësor ndaj Andi Pajazitit, i akuzuar për vrasjen e Kastriot Ramadanit.

Por Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte liruar Pajazitin nga akuza për vrasje, duke konstatuar se ai kishte vepruar në mbrojtje të nevojshme.

Pajaziti ishte dënuar me dy vjet burgim për armëmbajtje pa leje.

Tash, më shumë se tre vjet pas natës së përgjakshme në qendër të Prishtinës, para drejtësisë është paraqitur Dukagjin Lekaj, i cili akuzohet për tentimin e vrasjes së pikërisht Andi Pajazitit.

Fajësia ose pafajësia e tij për këtë akuzë mbetet të përcaktohet nga gjykata.