Çështja e shiritit nëntokësor | Rama shpërthen ndaj Kërçelit: Lexoje kontratën para se të flasësh, 8.50 euro për metër përfshijnë edhe garancinë e mirëmbajtjen për 10 vjet

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i është kundërpërgjigjur deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, lidhur me çmimin prej 8.50 eurosh për metër të shiritit nëntokësor, duke thënë se kjo shumë nuk përfshin vetëm materialin, por një varg shërbimesh të tjera. Përmes një postimi të gjatë në Facebook, Rama ka akuzuar deputetin e LVV-së se po…

Lajme

06/11/2026 10:33

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i është kundërpërgjigjur deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, lidhur me çmimin prej 8.50 eurosh për metër të shiritit nëntokësor, duke thënë se kjo shumë nuk përfshin vetëm materialin, por një varg shërbimesh të tjera.

Përmes një postimi të gjatë në Facebook, Rama ka akuzuar deputetin e LVV-së se po e paraqet çmimin e një shërbimi të plotë si çmim të vetëm të shiritit, me çka, sipas tij, po tentohet të keqinformohet opinioni publik, transmeton lajmi.net.

Sipas Ramës, çmimi prej 8.50 eurosh për metër, me TVSH, përfshin furnizimin me material, transportin, angazhimin dhe punën e punonjësve të kompanisë, si dhe shtrirjen dhe vendosjen e shiritit në kanalin përkatës.

Ai ka theksuar se në këtë shumë janë të përfshira edhe garancia dhe mirëmbajtja për një periudhë 10-vjeçare, sipas kushteve të kontratës dhe pa kosto shtesë.

“Krejt këto shërbime me i paraqitë vetëm si çmim të një ‘shiriti’ është veprim i ulët”, ka shkruar Rama.

Kreu i kryeqytetit ka pretenduar se procedura në fjalë është trajtuar nga disa mekanizma dhe institucione mbikëqyrëse, përfshirë Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), auditorët e brendshëm dhe të jashtëm, si dhe organet e hetuesisë.

Rama ka sqaruar edhe qëllimin e shiritit nëntokësor, duke mohuar se ai përdoret për të kufizuar zonën e punimeve.

Sipas tij, shiriti vendoset për të paralajmëruar praninë e kabllove elektrike nëntokësore, në mënyrë që ato të mos dëmtohen gjatë gërmimeve të ardhshme dhe të shmangen rreziqet për punëtorët.

Ai ka përmendur si shembuj punimet që mund të realizohen nga Ujësjellësi, KEDS-i, Termokosi apo ndërmarrje të tjera.

Në reagimin e tij, Rama ka paralajmëruar edhe veprime ligjore ndaj deklarimeve që i konsideron shpifje, duke thënë se për secilin rast të tillë do ta ndjekë rrugën juridike.

Në fund, kryetari i Prishtinës i është drejtuar drejtpërdrejt deputetit Kërçeli me një mesazh kritik:

“Ilir, për herën tjetër, lexoje kontratën. Kuptoje. Pastaj dil para qytetarëve”.

Postimi i plotë: 
SQARIM PËR SHOW-N E RADHËS POLITIK ME “SHIRIT”
Deputeti i VETËVENDOSJES po e mashtron opinionin kur e paraqet çmimin e një SHËRBIMI si çmim të një SHIRITI.
8.50 euro për metër, me TVSH, përfshijnë:
* Furnizimin me material.
* Transportin.
* Angazhimin dhe punën e punonjësve të kompanisë.
* Shtrirjen dhe vendosjen e shiritit në kanalin përkatës nga punonjësit kompetentë.
* Garancinë për 10 vjet, sipas kushteve të kontratës.
* Mirëmbajtjen për 10 vjet, sipas nevojës, pa kosto shtesë.
Krejt këto shërbime me i paraqitë vetëm si çmim të një “shiriti” është veprim i ulët.
Për më tepër, kjo procedurë është trajtuar nga:
📢Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP).
📢Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP).
📢Auditorët e brendshëm.
📢Auditorët e jashtëm.
📢 Hetuesia.
Nëse Ilir Kërçeli mendon që është më i dijshëm se të gjitha këto institucione dhe organe kompetente, le t’na kallxon!
Për më tepër, i propozoj që, kur del në publik për me bo shfaqje televizive, t’i marrë informacionet bazë.
❌ Ai shirit nuk shërben për ta kufizuar zonën e punimeve.
📢 Është shirit nëntokësor që paralajmëron praninë e kabllove elektrike, për të shmangur dëmtimin e tyre dhe mos me i rreziku puntorët gjatë gërmimeve në të ardhmen nga:
📢 Ujësjellësi,
📢 KEDS-i,
📢 Termokosi ose cilado kompani apo ndërmarrje tjetër.
E di që pas deklaratave të mia për Kryeministrin do të ketë invazion sulmesh ndaj meje, por më lejoni t’ju rikujtoj se do të kujdesem që për secilën shpifje ta ndjek rrugën ligjore.
Ilir, për herën tjetër, lexoje kontratën. Kuptoje. Pastaj dil para qytetarëve./lajmi.net/