Doncic me shifra të jashtëzakonshme: Parakalon ‘mbretin’ James, ‘kërcënon’ Magic Johnson

Ylli slloven, Luka Doncic, po regjistron një sezon të jashtëzakonshëm në ligën më të fortë të basketbollit në botë, NBA.

Sport

24/03/2019 10:00

Doncic i cili iu bashkua skuadrës së Dallas Mavericks, ka vazhduar formën e jashtëzakonshme që e kishte tek Real Madrid.

Në fitoren e mbrëmshme të Dallas Mavericks ndaj Golden State Warriors, Doncic realizoi shifra ‘triple – double’, me 23 pikë, 11 kërcime dhe 10 asistime, shkruan lajmi.net.

Kjo ishte hera e gjashtë që ai ka regjistruar ‘triple double’ këtë sezon, duke parakaluar LeBron James në një statistikë.

Lojtarët me më së shumti ‘triple double’ para se të mbushin 21 vjeç tashmë janë Magic Johnson me 7, Luka Doncic me 6 dhe LeBron James me 5, përcjell lajmi.net.

Kështu, ylli i Sllovenisë dhe i Dallas Mavericks, është në rrugë të mirë që të fitojë çmimin individual ‘Rookie of the Year’, i cili ndahet për lojtarin më të mirë që luan sezonin debutues në NBA. /Lajmi.net/