Policia e Kosovës ka njoftuar se ka realizuar një aksion kundër kontrabandës në zonën kufitare me Serbinë, ku është sekuestruar një sasi e konsiderueshme duhani i dyshuar për treg ilegal.
Sipas njoftimit, më 28.04.2026, në kuadër të planit operativ “Gatishmëria vepruese 2026”, njësitet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me Njësitin e Hetimeve të SP Kamenicë kanë ndërmarrë një aksion në fshatin Novosellë, Komuna e Kamenicës.
Gjatë operacionit është ndaluar një automjet “VW Golf 5” me targa VR, i drejtuar nga një shtetas i Serbisë, B.R., i lindur në vitin 1967, i cili dyshohet se kishte hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës me qëllim transportimin e mallrave të kontrabanduara.
Gjatë kontrollit të automjetit, policia ka gjetur dhe sekuestruar 310 pako duhan nga 500 gramë secila, me peshë totale rreth 155 kilogramë, si dhe 41 paketime të zbrazëta të destinuara për tregtim ilegal.
Sipas policisë, sasia e duhanit dyshohet se ishte e destinuar për tregun ilegal, me qëllim shmangien e procedurave doganore dhe përfitim të kundërligjshëm financiar.
Rasti është duke u trajtuar nga njësitet përkatëse të Policisë Kufitare – NJHR Jugu, në koordinim me prokurorin kompetent, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.
Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin e saj në luftën kundër kontrabandës dhe krimit ndërkufitar, duke paralajmëruar vazhdimin e aksioneve të tilla në terren. /Lajmi.net/