“Vuçiq sakrifikoi serbët e Kosovës për interesa politike”, Niniq: Radoiçiq endet i lirë duke fituar tenderë

Shpallja fajtorë dhe dënimi i Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviqit për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit dhe heshtja e autoriteteve në Serbi, sipas avokatit serb, Ivan Niniq tregon se Vuçiq i sakrifikoi serbët e Kosovës për interesa politike. “Kjo nuk është vetëm një disfatë ligjore, ky është një falimentim i rëndë civilizues…

Lajme

29/04/2026 15:01

Shpallja fajtorë dhe dënimi i Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviqit për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit dhe heshtja e autoriteteve në Serbi, sipas avokatit serb, Ivan Niniq tregon se Vuçiq i sakrifikoi serbët e Kosovës për interesa politike.

“Kjo nuk është vetëm një disfatë ligjore, ky është një falimentim i rëndë civilizues dhe moral i politikës së tradhtisë së Vuçiqit, e cila e ka shndërruar veriun e Kosovës në një vend stërvitjeje për lojërat e saj të rrezikshme dhe të ndyra të pasurimit, dhe popullin në pengje”, ka thënë ai për KoSSev, transmeton KosovaPress.

Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq u dënuan me burgim të përjetshëm, dhe Dushan Maksimoviq me 30 vjet burgim, të premten.

Lidhur me këtë, Niniq ka thënë se “Beogradi nuk lëvizi as gishtin, gjë që është provë se i sakrifikoi me vetëdije këta njerëz.”

Ndërsa tre prej serbëve ndaj të cilëve fillimisht ishte ngritur aktakuzë u dënuan, Niniq theksoi se Milan Radojiçiq vazhdon të endet lirshëm nëpër Serbi, duke fituar tendera dhe duke u mbrojtur nga sistemi.

“Kjo është prova më e drejtpërdrejtë se regjimi në Beograd i sakrifikoi me vetëdije këta njerëz, dhe pastaj i la të shkonin në momentin që u bënë barrë politike”, ka thënë ai./kp