Disa vende pa ujë të pijshëm, KRU-ja thotë se ekipet janë në terren

Zona të Fushë Kosovës, Drenasit, Obiliqit dhe disa lagje në Prishtinë kanë mbetur pa furnizim me ujë të pijshëm.

Lajme

25/01/2021 20:26

Zyrtarë nga Kompania Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” ka thënë se kjo ka ndodhur për shkak të turbullirës së krijuar në kanalin e Ibrit.

KRU-ja njofton se është gjendje emergjente për shkak të vërshimeve dhe të martën pritet të stabilizohet gjendja.

Njoftimi i plotë:

Prishtinë, 25 janar – Të nderuar konsumatorë të Fushë Kosovës, Drenasit, Obiliqit, lagjes ” Kalabria” në Prishtinë, Lagjes Mati 1, etj., ju që keni ndërprerje uji si pasojë e turbullirës së krijuar në kanalin e Ibrit.

Ju njoftojmë se, drejtoresha teknike me ekipe shtesë aktualisht janë në terren për realizimin e alternativave teknike për furnizim me ujë nga linjat e tjera, për zonat që kanë probleme me furnizim.

Në anën tjetër, kërkojmë mirëkuptim nga ana juaj, pasi që kjo situatë është krijuar nga reshjet atmosferike kohëve të fundit.

Përkushtimi nga ana jonë është i madh, kështu që ju lusim të kuptoni gjendjen e krijuar nga natyra.
Jemi në gjendje emergjente pas vërshimeve, por nesër në mëngjes, pritet gradualisht stabilizimi i gjendjes . /Lajmi.net/