Demokracia në Veprim: Raundi i dytë konfirmoi një proces zgjedhor të qëndrueshëm demokratik

Demokracia në Veprim (DnV) vlerëson se raundi i dytë i zgjedhjeve lokale është zhvilluar në mënyrë të qetë. Qytetarët kanë votuar lirshëm, ndërsa procesi në qendra të votimit është menaxhuar në mënyrë përgjithësisht të rregullt. Një ndryshim i rëndësishëm në këtë raund ka qenë kufizimi dhe zbatimi më i rreptë i procedurës për votimin me…

Lajme

09/11/2025 19:22

Demokracia në Veprim (DnV) vlerëson se raundi i dytë i zgjedhjeve lokale është zhvilluar në mënyrë të qetë. Qytetarët kanë votuar lirshëm, ndërsa procesi në qendra të votimit është menaxhuar në mënyrë përgjithësisht të rregullt.

Një ndryshim i rëndësishëm në këtë raund ka qenë kufizimi dhe zbatimi më i rreptë i procedurës për votimin me asistencë, i cili ka sjellë një ulje të dukshme të rasteve të tilla në krahasim me raundin e parë. Megjithatë, ndryshimi i mënyrës së zbatimit të këtij rregulli nga ana e KQZ-së¸në mes të dy raundeve, ka krijuar vështirësi për shumë qytetarë – sidomos ata të shtyrë në moshë ose me probleme në shkrim-lexim, të cilët janë kthyer pa mundur të votojnë për shkak të mungesës së dokumentacionit të kërkuar nga KQZ.

DnV thekson gjithashtu që angazhimi publik i Kryeministrit në detyrë gjatë ditës së zgjedhjeve, në disa komuna, e vë në pikëpyetje neutralitetin institucional dhe krijon perceptimin e ndërhyrjes në proces zgjedhor. Ky element, ndonëse nuk ka ndikuar drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e procesit, bie ndesh me parimin e barazisë së garës dhe standardet e sjelljes gjatë ditës së zgjedhjeve.

DnV thekson se përfundimi i suksesshëm i këtij raundi duhet të pasohet me transparencë dhe saktësi të plotë gjatë procesit të numërimit dhe publikimit të rezultateve. Po ashtu, kërkojmë nga subjektet politike që të presin publikimin e rezultateve preliminare nga KQZ-ja, para se të deklarojnë fitoret, në mënyrë që të ruhet qetësia.