De Biasi: Ndaj Rumanisë, provë pozitive

Gianni de Biasi e vlerësoi paraqitjen e Shqipërisë ndaj Rumanisë por jo rezultatin duke pranuar se kuqezinjtë u penalizuan në këtë përballje vetëm nga mungesa e freskisë fizike, me rumunët që qëndronin më lartë në këtë aspekt.

Sport

01/06/2014 12:02

Gianni de Biasi e ka përshëndetur paraqitjen e Kombëtares shqiptare ndaj Rumanisë, përkundër humbjes 0:1, në ndeshjen e zhvilluar të shtunën mbrëma.

“Në 35 minutat e para luajtëm shumë mirë, më pas paguam disi lodhjen fizike dhe në 10 minutat e fundit ishte shumë i zoti Berisha që na shpëtoi”, deklaroi fillimisht përzgjedhësi i Kuqezinjve, transmeton Asport.

“Në fraksionin e dytë ndodhi sërish e njëjta gjë, ramë fizikisht dhe nuk kishim më zëvendësime në dispozicion dhe vuajtëm freskinë e Rumanisë që mbetet një skuadër e mirë pasi mos harrojmë që luajti dhe në play-off për Botërorin”.

“Sa i përket të rinjve ndeshje e mirë për Cikalleshin që ndoshta ishte disi i emocionuar por që luajti vërtetë mirë”.

“E zëvendësova vetëm sepse ishte një zëvendësim që ishte menduar që më parë, ndërkohë Vajushi nuk u aktivizua për probleme fizike. Në total luajtëm mirë, por vetëm se vuajtëm fizikisht. Për fat do të kemi dy lojtarë më shumë për Hungarinë, Mavraj dhe Hyka”, përfundoi De Biasi.