Daut Haradinaj nderon heroin Myrtë Zenelin: Njëri ndër burrat më të mëdhenj të luftës sonë, kolos i shqiptarisë

Në 28-vjetorin e rënies së heroit Myrtë Zeneli, Daut Haradinaj, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Shqiponjë. Haradinaj ka rikujtuar rolin kyç të Myrtë Zenelit në organizimin e mbrojtjes së fshatit që nga viti 1993, duke e cilësuar si një ndër njerëzit e celulave të para të UÇK-së dhe pjesëmarrës në aksione të shumta…

Lajme

21/05/2026 13:19

Në 28-vjetorin e rënies së heroit Myrtë Zeneli, Daut Haradinaj, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Shqiponjë.

Haradinaj ka rikujtuar rolin kyç të Myrtë Zenelit në organizimin e mbrojtjes së fshatit që nga viti 1993, duke e cilësuar si një ndër njerëzit e celulave të para të UÇK-së dhe pjesëmarrës në aksione të shumta guerile deri në nisjen e luftës frontale në vitin 1998.

“Para 28 vitesh, në Dollovë, u vra njëri ndër burrat më të mëdhenj të luftës sonë, Myrtë Zeneli”, ka shkruar Haradinaj, teksa ka ndarë edhe kujtime personale nga koha e luftës dhe bashkërrugëtimi me të në Jabllanicë.

Ai ka veçuar një episod që, sipas tij, dëshmon karakterin dhe përkushtimin e Myrtës ndaj shokëve të luftës. Sipas Haradinajt, edhe në momentin kur djali i tij kishte pësuar lëndime të rënda në kokë pas një aksidenti, Myrtë Zeneli kishte zgjedhur të qëndronte në ndihmë të bashkëluftëtarëve të tij, mes tyre edhe Nait Hasani.

Haradinaj ka rikujtuar se Myrtë Zeneli ishte duke udhëhequr vijën e frontit përballë Klinës, në Dollovë, kur ra heroikisht, duke shtuar se nuk është rastësi që njëra ndër brigadat më të suksesshme të Dukagjinit mbajti emrin e tij.

“Lavdi, mikut tim Myrtë Zeneli, dhe shokëve të tij dëshmorë”, përfundon mesazhi i Haradinajt.