Çka ndodh nëse Presidenti nuk zgjidhet në afat kushtetues? – Analistët presin se do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme

Afati për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës po afrohet. Në debatin “RTK Prime” u diskutua rreziku i zgjedhjeve të jashtëzakonshme, mungesa e marrëveshjeve ndërpartiake dhe sfidat për të siguruar votat e nevojshme. Analistët paralajmëruan se vendi ka nevojë për një kandidat konsensual dhe të pavarur, ndërsa çdo alternativë tjetër mund të krijojë pasiguri…

Lajme

03/03/2026 23:08

Afati për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës po afrohet.

Në debatin “RTK Prime” u diskutua rreziku i zgjedhjeve të jashtëzakonshme, mungesa e marrëveshjeve ndërpartiake dhe sfidat për të siguruar votat e nevojshme. Analistët paralajmëruan se vendi ka nevojë për një kandidat konsensual dhe të pavarur, ndërsa çdo alternativë tjetër mund të krijojë pasiguri politike.

Kanë mbetur më pak se 48 orë deri në afatin për zgjedhjen e Presidentit ose Presidentes së ri/re të Kosovës. Të enjten në mesnatë përfundon afati kushtetues brenda të cilit vendi duhet të zgjedhë kreun e shtetit për pesë vitet e ardhshme.

Për zgjedhjen e tij ose saj, në sallën e Kuvendit duhet të jenë të pranishëm së paku 80 deputetë.

Profesori Kadri Kryeziu ka thënë se partitë politike “deri më tani kanë diskutuar për emrat e mundshëm, ndërsa presidenti në Kosovë tradicionalisht është zgjedhur përmes marrëveshjeve për ndarje të pushtetit shtetëror”.

Por, sipas tij, tani vendi ndodhet në një situatë të veçantë pas ekspozimit të çështjes së nënshkrimeve.

“Në momentin kur kryeministri Kurti ka kërkuar se kush do t’i marrë nënshkrimet, për mua kjo ka lënë të kuptohet se jemi duke shkuar drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, ka thënë Kadri Kryeziu në debatin “RTK Prime”, duke u shprehur se është i bindur që vendi do të shkojë në zgjedhje.

Ai ka theksuar se gjendja aktuale është rast pa precedent, pasi mungojnë si marrëveshjet, ashtu edhe numrat e nevojshëm nga partitë politike.

“Kryetarja e Kuvendit nuk mund ta marrë postin deri më 5 prill, sepse deri atëherë është presidentja në detyrë. Nëse deri atëherë nuk zgjidhet presidenti, atëherë postin e merr kryetarja e Kuvendit për pesë muaj”, ka thënë Kryeziu.

Sipas Besa Luzhës, edhe pse kanë mbetur shumë pak orë deri në përfundim të afatit, ajo nuk sheh urgjencë që vendi të shkojë në zgjedhje.

“Preferohet që 30 ditë para përfundimit të mandatit të zhvillohen këto bisedime, të gjendet personi dhe të diskutohet nëse është më mirë të zgjidhet presidentja”, ka thënë Luzha.

Ajo ka deklaruar se në politikë duhet të shkohet me ide dhe se kompromisi është i domosdoshëm, pasi vendi nuk ka luksin të bëjë shaka me vullnetin e popullit.

Ndryshe e analizon situatën avokati Tom Gashi. Ai ka thënë se nëse deri më 5 mars nuk ka një propozim dhe një plan të ri, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje.

“Nëse eventualisht zgjidhet dikush tjetër, e jo Vjosa Osmani, kjo do të ishte skandal në vetvete”, vlerësoi Gashi.

Sipas tij, për “inate fëmijërore” nuk duhet të largohen nga skena politike ata që janë të suksesshëm.

“Lëvizja Vetëvendosje i ka 66 deputetë dhe po mundohet, përmes Albin Kurtit, t’ia sigurojë votat Vjosa Osmanit, askujt tjetër. Kur Albin Kurti del çdo natë me takimet që ka me LDK-në, me PDK-në dhe me deputetë që besoj se i takojnë veçmas, dhe thotë se ne nga VV nuk kemi kandidat, ai nuk po shkon t’i takojë për shkak të së kaluarës së tyre, por për t’ia siguruar votat Vjosa Osmanit”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, nëse deri më 5 mars nuk sigurohen numrat për presidenten, ajo të nesërmen jep dorëheqje dhe në momentin e dorëheqjes vendi shkon në zgjedhje.

Analisti Sadik Zeqiri shprehu mospajtim me avokatin Tom Gashi, duke thënë se Albin Kurti e ka eliminuar përkrahjen për Vjosa Osmanin, pasi në asnjë deklaratë të tij nuk e ka mbështetur atë.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk është fare e interesuar që në Kuvend të ketë kandidaturën e Vjosa Osmanit për presidente. Z. Kurti po i takon të tjerët për të gjetur një kandidat konsensual, i cili, sipas tij, duhet të jetë i pavarur”, ka thkesuar Zeqiri.

Megjithatë, ai shtoi se, sipas vlerësimit të tij, në Kosovë nuk ka kandidatë realisht të pavarur, edhe nëse nuk posedojnë librezë të ndonjë partie politike.