Çitaku: Kurti nuk kërkon kompromis, por nënshtrim
Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherësh deputete në Kuvendin e Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj sjelljes së Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetarit të saj, Albin Kurti, në lidhje me përdorimin e institucioneve shtetërore në kohë fushate. Përmes një reagimi publik, Çitaku ka akuzuar Kurtin dhe partinë e tij se po…

Lajme
Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherësh deputete në Kuvendin e Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj sjelljes së Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetarit të saj, Albin Kurti, në lidhje me përdorimin e institucioneve shtetërore në kohë fushate.
Përmes një reagimi publik, Çitaku ka akuzuar Kurtin dhe partinë e tij se po keqpërdorin misionet diplomatike të Kosovës për qëllime elektorale, në një kohë kur vendi, sipas saj, ndodhet pa një qeveri legjitime, transmeton lajmi.net.
“Kjo kastë drejtuesish tashmë e ka shndërruar në normë keqpërdorimin e misioneve diplomatike të Kosovës për nevoja partiake të Lëvizjes Vetëvendosje. Në kulmin e fushatës zgjedhore, ky është abuzim i skajshëm me institucionet e shtetit”, ka thënë Çitaku, duke iu referuar konkretisht ngjarjeve të fundit në Londër, ku Kurti mbajti një takim me diasporën.
Ajo ka kritikuar gjithashtu deklaratat e Kurtit, i cili nga Londra kishte thënë se procesi i formimit të qeverisë po zvarritet për shkak të “xhelozive dhe inateve”. Sipas Çitakut, këto janë fjalë që nuk i shkojnë një lideri që, siç thotë ajo, vetë ka fyer dhe përbuzur të gjithë më parë.
“Jo, Albin Kurti. Ti nuk kërkon marrëveshje, as kompromis. Ti kërkon nënshtrim. Por ky popull nuk është e nuk do të jetë kurrë popull që nënshtrohet,” ka përfunduar reagimin e saj deputetja e PDK-së./lajmi.net/