Celine Dion përlotet teksa rikthehet në skenë pas gjashtë vjetësh

Njëmbëdhjetë minuta para orës 21:00 me kohën lokale, dritat u shuan dhe shpërthyen thirrjet e gëzimit ndërsa Celine Dion doli në skenë në një periferi të Parisit për koncertin e saj të parë pas gjashtë vitesh. Dion, 58 vjeçe, e nisi shfaqjen në sallën më të madhe të koncerteve të mbyllura në Evropë me interpretimin…

ShowBiz

12/09/2026 23:36

Njëmbëdhjetë minuta para orës 21:00 me kohën lokale, dritat u shuan dhe shpërthyen thirrjet e gëzimit ndërsa Celine Dion doli në skenë në një periferi të Parisit për koncertin e saj të parë pas gjashtë vitesh.

Dion, 58 vjeçe, e nisi shfaqjen në sallën më të madhe të koncerteve të mbyllura në Evropë me interpretimin e këngës së vitit 1998 “On Ne Change Pas”, por ndaloi në mes të këngës pasi u përlot.

“Premtova se nuk do të qaja,” u tha ajo spektatorëve në Nanterre, e veshur me një fustan të zi dhe një gjerdan të madh diamanti.

“Sonte dua të këndoj për ju, për veten time, për jetën.”

Mijëra fansa mbushën “Plenitude Arena” të shtunën për të ndjekur rikthimin e Dionit në skenë, duke nisur një seri koncertesh të shitura plotësisht në Paris, pas një beteje me një çrregullim të rrallë neurologjik që kishte ndërprerë karrierën e këngëtares.

“Më në fund. Është e mrekullueshme që jemi të gjithë bashkë. Kam dhënë një premtim. Kam premtuar se do të kthehesha dhe do të dilja sërish në skenë,” tha Dion, duke folur fillimisht në frëngjisht e më pas në anglisht.

“Faleminderit shumë për mbështetjen dhe durimin tuaj dhe, nëse mund ta them, unë jam gjithçka që jam sepse ju më keni dashuruar,” vazhdoi ajo, duke cituar këngën e saj të vitit 1996.