Bundesliga, më e rëndësishmja

Pep Guardiola mburret me ekipin e tij, në sezonin e parë në Gjermani. Trajneri spanjoll thotë se Bundesliga ishte titulli më i rëndësishëm për të dhe është krenar që e fitoi atë në kohë rekorde.

Sport

09/05/2014 17:11

Pep Guardiola insiston se është mjaft i kënaqur me sezonin e parë në Gjermani, pasi e udhëhoqi Bayern Munichun drejt titullit të 24-t në Bundesliga.

Gjiganti bavarez e mbrojti me sukses titullin e kampionit për një kohë rekorde, qysh në muajin mars, por më pas pati një rënie të formës, e cila i kushtoi me eliminim nga Liga e Kampionëve në gjysmëfinale nga Real Madridi.

Sidoqoftë, ish trajneri i Barcelonës mbetet i bindur se titulli i kampionit nacional ishte më i rëndësishmi për të, në sezonin e parë në Gjermani.

“Jam i lumtur dhe mjaft krenar me tërë klubin këtë sezon. Ndoshta për disa është vetëm një titull tjetër në Bundesliga, por për mua është i pari”, deklaroi Guardiola në konferencë për shtyp.

“Ky është titulli më i rëndësishëm për mua këtë sezon. Duke e fituar kampionatin nacional është gjithmonë titulli më i mirë, sepse ju duhet të luani javë pas jave”, vazhdoi trajneri spanjoll.