Brokoli, lulelakër dhe djathë – Pjekurina perfekte
Vlerat ushqimore të tij, e bëjnë brokolin një nga perimet e gjelbra më të shëndetshme në botë.
Lifestyle
Një recetë fantastike, jo vetëm për shijen e përsosur por edhe për vlerat ushqyese gjithashtu, falë dy përbërësve kryesorë të saj brokolit dhe lulelakrës.
Vlerat ushqimore të tij, e bëjnë brokolin një nga perimet e gjelbra më të shëndetshme në botë.
Bëhet fjalë për një perime miqësore me stomakun dhe shumë e pasur në vlera dhe shije. Brokoli është fantastike në çdo mënyrë gatimi, supë, sallatë, pure etj.
Nga ana tjetër, lulelakra është e pasur me vitaminë C, K, B-6 dhe acid folik. Ajo përmban gjithashtu kalçium, hekur, magnez, fosfor dhe një sërë vitaminash të tjera të dobishme për organizmin.
Lulelakra përmban antioksidantë që parandalojnë mutacionet e qelizave dhe ulin stresin që formohet nga radikalet e lira.
Përbërësit
400 gr brokoli
400 gr lulelakër
Kripë
Piper
Vaj ulliri
Për salcën e beshamelës
3 lugë gjelle miell gruri
2 lugë gjelle gjalpë të freskët
2 deri 3 gota qumësht
2 kokrra vezë
3 lugë gjelle djathë kaçkavall i grirë
Kripë
Përgatitja
Shtojmë ujë dhe kripë në një tenxhere dhe e vendosim në zjarr që të ziejë.
Sapo uji të nisë të vlojë hedhim brokolit dhe lulelakrat e ndara në degëza.
I lëmë të ziejnë për 10 minuta dhe më pas i heqim nga zjarri.
Kujdesemi t’i largojmë nga uji përmes një kullorëse dhe i shtrojmë në tavë. Sipër i spërkasim me vaj ulliri.
Përgatitja e Beshamelës
Në tigan skuqni gjalpin me miellin derisa të jetë zverdhur.
Më pas, shtoni qumështin dhe përziejeni fort dhe shpejt me një lugë druri derisa masa të jetë e njëtrajtshme.
Shtoni vezët e rrahura dhe vijoni ta përzieni.
Shtoni kripën sipas dëshirës si dhe djathin kaçkavall të grirë.
Masën e përgatitur të beshamelës e hedhim sipër brokolit dhe lulelakrave dhe më pas i fusim në furrë të piqen derisa sipërfaqja të marrë ngjyrë të kuqërremtë. /Lajmi.net/