BQK njofton se ka aplikuar zyrtarisht për përfshirje të Kosovës në SEPA

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka njoftuar sot se ka dorëzuar zyrtarisht aplikimin për përfshirjen e Kosovës në hapësirën gjeografike të Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), një proces që synon lehtësimin dhe uljen e kostove të transaksioneve financiare me vendet evropiane. Në njoftimin e saj, BQK-ja ka bërë të ditur se dorëzimi…

Lajme

06/11/2026 20:20

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka njoftuar sot se ka dorëzuar zyrtarisht aplikimin për përfshirjen e Kosovës në hapësirën gjeografike të Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), një proces që synon lehtësimin dhe uljen e kostove të transaksioneve financiare me vendet evropiane.

Në njoftimin e saj, BQK-ja ka bërë të ditur se dorëzimi i aplikimit shënon një hap të rëndësishëm drejt integrimit financiar dhe ekonomik të Kosovës me Bashkimin Evropian.

Sipas BQK-së, aplikimi është rezultat i reformave të ndërmarra gjatë viteve të fundit, në kuadër të Planit Strategjik 2024–2028, ku përgatitja për anëtarësim në SEPA është përcaktuar si një nga objektivat kryesore institucionale.

Në njoftimin e saj, BQK-ja ka bërë të ditur se dorëzimi i aplikimit shënon fillimin e fazës së shqyrtimit dhe vlerësimit nga organet përkatëse evropiane, por nuk nënkupton pranimin automatik të Kosovës në këtë mekanizëm.

Aplikimi do t’i nënshtrohet procedurave të vlerësimit të përputhshmërisë së kornizës ligjore dhe rregullative të Kosovës me kërkesat për përfshirje në hapësirën gjeografike të SEPA-s.

Vetëm pas një vendimi pozitiv do të vijojnë procedurat për pjesëmarrjen e institucioneve financiare të Kosovës në skemat përkatëse të pagesave.