Vdes drejtori i NPL “Tregu” në Gjilan, Alban Hyseni: Humbje e madhe për familjen dhe institucionet

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka shprehur dhimbje për vdekjen e drejtorit të NPL-së “Tregu”, Bajram Isufi. Në një postim, Hyseni ka thënë se Isufi ishte punëtor i madh, që përkushtimin për vendin e nisi qysh në rreshtimin e tij në radhët e UÇK-së. “Humbja e tij është një goditje jo vetëm për familjen, por…

Lajme

06/11/2026 19:26

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka shprehur dhimbje për vdekjen e drejtorit të NPL-së “Tregu”, Bajram Isufi.

Në një postim, Hyseni ka thënë se Isufi ishte punëtor i madh, që përkushtimin për vendin e nisi qysh në rreshtimin e tij në radhët e UÇK-së.

“Humbja e tij është një goditje jo vetëm për familjen, por edhe për institucionet tona dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin e të punojnë me të” shkroi Hyseni.

Ky është postimi i plotë i tij:

Me pikëllim të madh mora lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të bashkëpunëtorit tonë, profesionistit dhe njeriut të urtë, Bajram Isufi.

Bajrami do të kujtohet gjithmonë për përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm, ndershmërinë dhe kontributin e çmuar që dha për vendin dhe qytetin e Gjilanit, duke filluar që nga rreshtimi i tij në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e deri te angazhimi i tij i palodhshëm si Drejtor i Bujqësisë dhe Pylltarisë, ashtu edhe në krye të Ndërmarrjes Publike Lokale “Tregu”. Ai ishte shembull i atdhedashurisë, punës, korrektësisë dhe respektit për çdo qytetar e koleg.

Humbja e tij është një goditje jo vetëm për familjen, por edhe për institucionet tona dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin e të punojnë me të.

Në emrin tim personal dhe në emër të Komunës së Gjilanit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Isufi, miqve, kolegëve, bashkëluftëtarëve dhe të gjithë atyre që e njohën./Lajmi.net/