Italia pritet të gjobisë rëndë shoferët që vozisin tepër ngadalë në autostrada
Shoferët që lëvizin me shpejtësi tepër të ulët në disa segmente të autostradave në Itali mund të përballen me gjoba nga 40 deri në 160 euro. Masa e re synon të parandalojë pengimin e qarkullimit dhe të sigurojë lëvizje më të rrjedhshme të automjeteve. Sipas raportimeve të mediave italiane dhe zvicerane, propozimi është pjesë e…
Bota
Shoferët që lëvizin me shpejtësi tepër të ulët në disa segmente të autostradave në Itali mund të përballen me gjoba nga 40 deri në 160 euro. Masa e re synon të parandalojë pengimin e qarkullimit dhe të sigurojë lëvizje më të rrjedhshme të automjeteve.
Sipas raportimeve të mediave italiane dhe zvicerane, propozimi është pjesë e projektit për Kodin e ri Rrugor të Italisë, i cili tashmë është miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe i është përcjellë Parlamentit për shqyrtim, transmeton lajmi.net.
Rregulli i propozuar parasheh vendosjen e një shpejtësie minimale prej 100 kilometrash në orë në korsinë e majtë, atë që ndodhet pranë ndarëses së mesit të autostradës.
Kjo masë pritet të zbatohet fillimisht në autostradat me së paku tri korsi në secilin drejtim, përkatësisht në segmentet me gjashtë korsi.
Megjithatë, detyrimi për të respektuar shpejtësinë minimale nuk do të vlejë në çdo rrethanë. Shoferët do të përjashtohen nga ky rregull kur kushtet atmosferike apo ato të trafikut nuk lejojnë lëvizje të shpejtë.
Përjashtimet përfshijnë mjegullën e dendur, reshjet e mëdha të shiut, aksidentet, punimet në rrugë dhe krijimin e kolonave të automjeteve. Po ashtu, do të respektohen kufizimet e tjera të përcaktuara përmes sinjalistikës rrugore.
Sipas propozimit, shkelja e këtij rregulli mund të dënohet me gjobë prej 40 deri në 160 euro.
Vozitja e ngadalshme mund të ndëshkohet edhe në shtetet e tjera
Edhe pse Gjermania nuk ka një ligj që përcakton drejtpërdrejt ndalimin e vozitjes së ngadalshme në autostrada, pengimi i qëllimshëm i qarkullimit mund të konsiderohet kundërvajtje administrative.
Ndërkaq, në shumë vende evropiane, lëvizja pa arsye me shpejtësi dukshëm më të ulët se ajo e pjesës tjetër të trafikut mund të ndëshkohet, nëse pengon qarkullimin ose krijon rrezik për pjesëmarrësit e tjerë.
Një ndalim i ngjashëm për vozitjen e panevojshme të ngadalshme zbatohet edhe në Itali dhe Zvicër.
Kodi i ri Rrugor në Itali ende pret miratimin përfundimtar nga Parlamenti, prandaj masa e propozuar nuk duhet të konsiderohet ende rregull në fuqi./lajmi.net/