Bora ‘paralizon’ Mançesterin (Foto&Video)

Bora e madhe që po bie sot në Anglinë veriore ka detyruar autoritetet të mbyllin qindra shkolla, ndërkohë që prej orës 9:40 minuta janë ndaluar të gjitha fluturimet në Aeroportin e  Mançesterit.

Bota

29/01/2015 15:01

“Aktualisht kemi pezulluar të gjitha fluturimet, jemi në procesin e pastrimit të pistave nga bora, kështu që për rifillimin e fluturimeve do të dalim me një njoftim të ri sapo të normalizohet moti”, ka thënë për BBC-në një zyrtar i Aeroportit të Mançesterit, duke bërë të ditur se pavarësisht pritjeve, autoritetet e aviacionit nuk do të rinisin fluturimet pa qenë të sigurt për sigurinë e pasagjerëve.

Përveç Aeroportit në një pjesë të madhe të Anglisë veriore janë mbyllur qindra shkolla, autobusët dhe trenat kanë ndërprerë lëvizjet, ndërkohë që janë mbyllur edhe shumë rrugë kryesore që çojnë drejt qytetit të Manchesterit, si pasojë e aksidenteve që kanë ndodhur mëngjesin e sotëm.

Ndërkohë bëhet e ditur se është mbyllur edhe Aeroporti Ndërkombëtar të Newcastle, dhe se fluturimet do të rinisin vetëm nëse do të fillojë të bie intensiteti i borës së shoqëruar me stuhi, që përveç Anglisë veriore ka përfshirë edhe Skocinë jugore.